Bogdani: Rama i lidhur me krimin, koalicion me partinë e Dritan Dajtit
Tiranë- Partia Demokratike ka reaguar sot lidhur me deklaratat e djeshme të Partisë Socialite mbi krimin, duke u shprehur se deputetët e opozitës janë të lidhur me bandat kriminale.
Në një deklaratë për mediat, deputeti Gerti Bogdani u shpreh se kryesocialisti Edi Rama ka lidhje të ngushta me Aldo Baren dhe persona të tjerë që kanë lidhje me krimin.
Nuk mund të flasë për rendin dhe krimin Z. Edi Rama mbasi vetëm pak ditë më parë ai futi në koalicionin e tij partinë e Dritan Dajtit, vrasësin e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, partinë e Arben Frrokut që ekzekutoi komisarin Dritan Lame, partinë e Indrit Dokles dhe kriminelëve të tjerë. Ai pati sërish dje pafytyresinë të flasë për sigurinë dhe rendin publik, vetëm pak orë pasi kishte goditur fizikisht, personalisht, në kryeqytetin e Austrisë, në prani të një salle me të ftuar një diplomat shqiptar,- tha Bogdani.
Më tej ai u shpreh se përveç kreut të PS-së ka edhe dhjetra deputetë që kanë lidhje me kriminelë të rrezikshëm dhe sipas tij ata nuk duhet të flasin për sigurinë publike.
Saimir Tahiri nuk mund të flasë për shtetin ligjor, sepse babai i tij u arrestua për kontrabandë ilaçesh. Gramoz Ruçi nuk mund të flaës kurrë për krimin dhe rendin sepse i biri ka kryer me dhjetëra vepra penale, madje dhe viktima dhe është i lirë. Arta Dade nuk mund të flasë, sepse i biri mban në kurriz disa plagosje dhe është i lirë. Luiza Xhuvani nuk mund të flasë, sepse i biri vrau në mes të ditës dhe u dënua vetëm me dy vite burg. Kosta Barjaba ka kryer vjedhje dhe është mentori kryesor i Ramës për politikat sociale. Taulant Balla nuk mund të flasë për krimin mbasi ka përdorur pasaportën e tij diplomatike për të mbrojtur trafikantë të drogës dhe realizuar trafiqe. Pjerin Ndreu nuk mund të flasë për rendin mbasi eshtë larguar nga organet e rendit për shkak të lidhjeve të tij me krimin. Shqiptarët e dinë shumë mirë që Z. Rama dhe kupola e Partisë së tij nuk mund të flasin për krimin dhe luftën kundër kriminalitetit, sepse ata janë të lidhur fund e krye me krimin, kontrabandën, trafiqet,- tha ai.
Në përfundim Bogdani u shpreh se Partia Demokratike do të vazhdojë punën për ti ardhur në ndihmë policisë në luftën kundër krimit.