Topi: Ambasadat në dorë të Berishës, duhet të hetohet
Tiranë- Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, ka ironizuar ngritjen e komisionit hetimor për incidentin në Vjenë, duke thënë se sistemi diplomatik shqiptar është i politizuar.
Duke treguar nga eksperienca e tij si president në Asamblenë e FRD-së, ai ka kërkuar që të ndërmerren heime mbi politizimin e ambasadave, të cilat sipas tij janë në shërbim të qeverisë.
“Të ashtuquajturit ambasadorë apo të ngarkuar si ambasadorë refuzonin të prisnin kryetarin e shtetit në kryeqytetet e Europës Perëndimore. Nëpër zyrat e tyre nuk kishin fotografinë e kryetarit të shtetit. Kjo ka nevojë për hetim, kjo Shqipëri nuk është ‘domain’ i një njeriu. Ky është roli i Parlamentit, të shohë edhe emërimet që shkojnë si propozime nga Qeveria, nga të ashtuquajturat komisione, ku funksionon vetëm vullneti i një maxhorance të thjeshtë”,- tha Topi.
Më tej ai ka sulmuar edhe drejtuesit e PD-së dhe Kuvendit, duke thënë se ata nuk kanë lidhje fare me demokracinë. Le të bërtasin nga mëngjesi deri në darkë, me gishtat lart që janë demokratë, nuk janë të tillë. Rezultat i kësaj sjelljeje është gjendja e vështirë e institucioneve. Institucione që mbushen vetëm me njerëzit, militantë të të njëjtit krah”,- tha ai.