E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: Rama t’i kërkojë falje Kosovës për nderimet që i ka bërë Bregoviçit

TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani nëpërmjet një deklarate për media shkruan se kryeministri Edi Rama duhet t’i kërkojë falje sot Kosovës, për nderimin, sic tha ai të muzikantit të njohur për vokacionin e tij antishqiptar, Goran Bregoviçit. 

“Partia Demokratike i kujton kryeministrit të dekretuar Edi Rama, se sot është në vendin e duhur, pavarësisht se shumë vonë, për të kërkuar ndjesë për aktin e tij publik dhe politik, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Përpara se të flasë për projektet me Kosovën dhe traktatin e miqësisë me të, një shpikje e çuditshme e z. Rama kjo, ai duhet të kërkojë falje për nderimin, që i ka bërë Goran Bregoviçit, një muzikant i njohur për vokacionin e tij antishqiptar”, shprehet Bogdani.

Sipas tij, “Nga mosnjohja, nga padija, apo nga bindjet e tij të mëparshme, z. Rama ka ngritur në piedestalin e kryeqytetit, kur ishte kryetar bashkie, muzikantin e preferuar të çetnikëve, që u këndonte spastrimeve etnike dhe genocidit në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Ai thotë se vizioni i tij ka ndryshuar, por e kaluara jo e largët është aty dhe dëshmon të kundërtën, deri në momentin që vetë Rama të distancohet”, përfundon deklarata e Bogdanit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›