E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rumania, jo ndeshja ime e fundit

/* */

Erion Bogdani nuk do të luajë për Kombëtaren në ndeshjen kundër Francës, në Paris (7 tetor), për shkak të kartonit të kuq të marrë në takimin kundër Luksemburgut (në “Josy Barthel)’, ku dhe shënoi golin e vetëm të Shqipërisë dhe vendosi rekordin e 15 golave të realizuar me Kombëtaren. Sulmuesi kryesor i Shqipërisë do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Rumanisë, në “Qemal Stafa” (11 tetor). “E kam thënë se kundër rumunëve do të jetë vetëm ndeshja ime e fundit në këtë sezon eliminator, por jo e imja si futbollist me Kombëtaren. Jam në dispozicion të trajnerit nëse ai do të më kërkojë. Ende nuk kam e marrë vendimin tim final. Do të flas me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (Armando Duka) dhe me trajnerin e ekipit Kombëtar. Nëse ata do të kenë nevojë për mua, unë do të jem gjithmonë gati”.

Vlerësimi im për trajnerët e huaj

Shqipëria gjatë angazhimit të Erion Bogdanit me Kombëtaren, ka pasur në drejtimin e saj pesë trajnerë të huaj: italianin Xhuzepe Dosena, gjermanin Hans-Peter Brigel, kroatin Oto Bariç, holandezin Ari Han dhe aktualin, kroatin Josip Kuzhe. Por si i vlerëson Bogdani ata? “Nuk diskutohet që kanë dhënë kontributin e tyre në futbollin shqiptar. Secili ka sjellë një risi, apo mentalitetin dhe filozofinë e tij të lojës. Mendoj se na kanë shërbyer”

 

Të marrim shembull nga Sllovenia

“Ajo që unë duhet të theksoj është fakti, se ne duhet të rrisim nivelin e futbollit shqiptar, pra kampionatit vendas, pasi kështu do të rritet edhe niveli i lojtarëve të rinj për të përfaqësuar më mirë ekipin Kombëtar. Po të shohësh ekip të vendeve të vogla, kanë arritur të nxjerrin lojtarë shumë të mirë, të cilët po luajnë edhe në kampionate të forta. Marr si shembull rastin e Sllovenisë, që ka nxjerrë futbollistë që luajnë mirë në Itali dhe Gjermani”.

 

Këshilla ime për forcimin e Kombëtares

“Futbolli shqiptar ka nevojë për talente dhe lojtarë që mund të luajnë në kampionate të forta, si Italia, Gjermania, Anglia, Ukraiana, etj. Nëse nuk do të kemi lojtarë që luajnë në të tilla kampionate të forta, atëhërë për çdo trajner, qoftë ky i huaj apo shqiptar, do të jetë përherë dhe më e vështirë, dhe më e kufizuar që të arrijë rezultatet që të ne të gjithë i dëshirojmë dhe synojmë t’i marrim”.Ndihmues i emigrantëve, propagandist i Shqipërisë

 Përveçse të qenit protagonist në fushën e lojës, Erion Bogdani, jashtë fushe është i njohur si pjesëmarrës në disa iniciativa me karakter social, sidomos në ato që kanë të bëjnë me integrimin e emigrantëve shqiptarë në Itali. Bogdani: “Ka qenë një kënaqësi e madhe t’u bashkohesha shumë iniciativave jashtë futbollit. Në Itali, futbollin e njekin shumë dhe ti personalisht shihesh me një sy tepër vlerësues. Më kanë ftuar vazhdimisht në projekte apo iniciativa me karakter social. Më lejo të jem modest në këtë pikë, thjesht jam përpjekur të ndihmoj shumë shqiptarë të integrohen. Për shumë gjëra që kanë ndodhur, më kanë marrë në telefon dhe i kam ndihmuar me gjithë zemër. E njoh shumë mirë jetën në Itali. Jam shqiptar vetë, jam lindur dhe rritur në Shqipëri. Jam përpjekur, që të propagandoj gjërat e mira që ka Shqipëria, pavarësisht ndonjë akti negativ që rëndom bëjnë shqiptarët në Itali. Si Erion, shoh një Shqipëri që po rritet dhe më vjen mirë për këtë. Ka shumë talente, jo vetëm për futboll, por dhe në fusha të tjer ”.

 

Nga “Princi i Epirit” te “Shqiponja e Tiranës”

 Erion Bogdanin e kanë shoqëruar shumë epitete gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike në Itali, të vëna nga tifozët dhe adhuruesit e tij, teksa ai është nderuar edhe me çmime speciale dhe ka dhënë autografe të shumtë. Bogdani : “Po është e vërtetë, kam pasur shumë emra. Tifozët herë pas herë më kanë thirrur me nofka të ndryshme. Në Verona, në sezonin kur shënova 17 gola (2004-2005), më kanë thirrur “Il Principe dell'Epiro”, “Princi i Epirit”, diku tjetër “Er-Bomber”. Edhe tifozët e Kievos, një tjetër skuadër me të cilën kam pasur sukses vazhduan të më quanin kështu, “Princi i Epirit”. Te skuadra aktuale, Çezena, më thërrasin “L’aquila di Tirana” (Shqiponja e Tiranës). Pikërisht dje (të dielën), Çezena luajti kundër Kievos, unë luajta pjesën e dytë. Disa nga ish-bashkëlojtarët e mi, me të cilët kisha luajtur te Kievo, por dhe presidenti i Kievos, (Luka) Kampedeli më thirrën po kështu, “Princi i Epirit”. Më dhanë shumë kënaqësi. Nuk është se më thërrasin kështu vetëm nga futbolli, por dhe nga jeta jashtë fushe që kam bërë në Itali”. 
Bogu: “Lala mund t’i japë akoma ekipit Kombëtar”

Në fakt, po flitet për një largim të disa senatorëve nga Kombëtarja, mënjehërë pas përfundimit të eliminatoreve të Euro 2012-s. Ervin Skela e ka deklaruar lamtumirën e tij, ndërkohë që emrat e tjerë të përfolur kanë të bëjnë me Altin Lalën, Erjon Bogdanin dhe Klodian Duron. Bogdani: “Altin Lala luan prej vitesh në Bundesligë dhe ka një eksperiencë të madhe si lojtar. Lala është akoma në aktivitet. Është lojtar Hanoverit dhe së fundi u aktivizua me sukses edhe në Ligën e Europës, dhe kërkohet që të mos jetë pjesë e ekipit Kombëtar. Dua të them se Lala ka luajtur shumë mirë për përfaqësuesuen, dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me moshën e tij. Është lojtar profesionist. Nuk është e thjesht të gjesh një lojtar si Altini. Në Gjermani nuk të bën kush kontratë nëse nuk je i zoti. Për mendimin tim ai mund t’i japë akoma ekipit Kombëtar. Gjithsesi, kjo është në dorën e trajnerit të përfaqësueses”.

 

Fotot që mahnitën Italinë

Fotot e martesës luksoze në “Villa Rocca Matilde”, në Napoli, midis Erion Bogdanit dhe modeles nga Salernitana, Rosela Ariodante, të diplomuar në jurisprudencë, bënë xhiron e Italisë. Një çift magjepës, aq sa mediat italiane e konsideruan si “martesë të diamantit të futbollit shqiptar” me “bukuroshen salernitane”. Të pranishëm ishin yje të futbollit italian dhe të botës së modës, ndërkohë që nga Shqipëria mbërritën rreth njëqind të ftuar, familjarë dhe miq të Erionit “Në fakt, si unë dhe Rosela, duke njohur dhe ambientin italian, vendosëm që ceremoninë te ruajmë në nivele personale. Ne si futbollistë jemi shumë të ndjekur nga media dhe paparacët për çdo gjë bëjmë. Gjithsesi, për mendimin tim kemi bërë një dasëm shumë të bukur privatë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›