Bogdani, dy gola për Kievon... kundër skuadrës së të rinjve

Albania-Sport - Sulmuesi shqiptar, Erion Bogdani, ka gjetur më në fund rrugën e rrjetës me fanellën e skuadrës së tij të re, Kievos, duke shënuar madje dy herë, por kjo ka ndodhur në një ndeshje miqësore që skuadra veroneze ka zhvilluar dje pasdite në kompleksin stërvitor të klubit, duke fituar 10-0 kundër skuadrës së rinjve.
Në ndeshjen e luajtur nën një qiell të vrenjtur, ka qenë shtatlarti shqiptar ai që ka spikatur, përkrah Kosatos, duke shënuar nga dy gola secili, ndërsa 6 golat e tjerë të kësaj "fitoreje" mbajnë firmën e Mantovanit, Obinasë, Brigit, Lanës, Kosovskit dhe Pelizierit.
Që nga kalimi nga Siena te skuadra e Kievos, sulmuesi i Kombëtares kuqezi ka luajtur dy ndeshje zyrtare në kampionat me skuadrën e tij të re, dhe, ndonëse në ndeshjen kundër Katanias, ku edhe debutoi për veronezët, ai mori vlerësime nga specialistët, në ndeshjen tjetër, atë kundër ish-skuadrës së tij toskane, nuk u ngjit në nivelin e pritur prej tij.