Spahiu: Presim që vendimi i gjykatës të zbatohet sot, Duka në Gjermani, përmbarimi në FSHF

Megjithëse ka më shumë se një muaj që është dhënë vendimi nga gjykata e Apelit përsa i përket konfliktit midis ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit duke e nxjerrë të paligjshme këtë të fundit dhe drejtuesve të institucionit të futbollit, deri më sot asgjë nuk kandodhur me këtë cështje. Disa ditë pasi u dha vendimi nga Gjykata e Apelit u fol shumë si nga njëra palë ashtu edhe nga tjetra, por ashtu sic ndodh rëndom në vendin tonë gjithcka u harrua brenda tre ditësh dhe nuk u përmend më fare. Drejtuesit e MTKRS-së deklaruan në atë kohë se ishin në pritje të zbardhjes së vendimit nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas cështja të kalonte në Zyrën e Përmbarimit dhe do të ishte kjo e fundit ajo që do të ekzekutonte vendimin, por asgjë nuk ndodhi. Duket se tashmë "ora" ka ardhur dhe pritet që sot vendimi të zbardhet dhe të shkojë në Përmbarim për tu ekzekutuar më pas. Një fakt të tillë e konfirmon vetë drejtori i Sporteve në ministri, Mehmet Spahiu, i cili deklaron se MTKRS-ja është në pritje të zbardhjes së vendimit. "Përsa i përket konfliktit me Federatën Shqiptare të Futbollit mund të them se cështja tashmë ka mbetur në gjykatën e Shkallës së Parë. Është kjo gjykatë, e cila do të zbardhë vendimin që la në fuqi Gjykata e Apelit dhe më pas ky vendim i zbardhur do të dërgohet në Zyrën e Përmbarimit dhe kjo e fundit do ta ekzekutojë më pas atë. Ne jemi në pritje të zbardhjes së këtij vendimi dhe mund të them jo me siguri të plotë, por besoj se një gjë e tillë do të ndodhë nesër(sot)" deklaroi Spahiu. I pyetur se pse ndodh kjo vonesë, drejtori i Sporteve deklaroi: "Sigurisht që kjo nuk varet nga ne pasi ata kanë afatet e tyre që në bazë të ligjit duhen zbatuar, por ashtu sic thashë besoj se vendimi do të zbardhet nesër(sot)" përfundoi prononcimin e tij drejtori Spahiu. Ndërkohë që në intitucionin e futbollit gjithcka ecën normalisht dhe duket se e kanë harruar konfliktin me MTKRS-në. I pyetur se a ka ndonjë qëndrim nga ndonjë institucion sic është gjykata apo Zyra e Përmbarimit, zëdhënësi për shtyp i Federatës, Lysien Nurishmi deklaroi: "Puna në institucionin tonë vazhdon normalisht dhe mund të them se nuk kemi pasur asnjë sinjalizim nga Zyra e Përmbarimit". Ndërkohë që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, Roland Mici ndodhen në Dyseldorf të Gjermanisë ku po marrin pjesë në punimet e kongresit të UEFA-s. Organizmi i futbollit europian do të zhvillojë sot zgjedhjet për president, ku kandidojnë kreu aktual Lenart Johanson dhe legjenda e futbollit francez dhe atij europian, Mishel Platini. Si vend anëtar në këtë organizëm, edhe FSHF-ja ka të drejtën e saj të votës dhe do të jetë presidenti Duka, ai që do të zgjedhë sot midis mikut të tij Johanson, i cili e ka ndihmuar gjithmonë për konfliktin me ministrinë dhe francezit Platini që gjatë vizitës së tij përpara disa javësh në vendin tonë ja kërkoi hapur votën kreut të futbollit shqiptar. Ndërkohë që kjo është edhe një mundësi e mirë për Dukën që të vejë në dijeni institucionin europian për ngjarjet e futbollit që po ndodhin në Shqipëri.
Besar Bozgo