Vergasola: Largimi i Bogdanit, i gabuar nga ana e klubit

Albania-Sport - Ndonëse i trajtuar jo sic e meritonte, pas shënimit të 11 golave të shënuar sezonin e shkuar, nga trajneri i Sienës, Erjon Bogdani vazhdon të gëzojë admirimin e shokëve të ish-skuadrës së tij dhe këtë radhë është mesfushori Simone Vergasola, i cili, në një intervistë dhënë faqes zyrtare të klubit toskan, ka folur me respekt dhe superlativa për shqiptarin.
Është Masimo Makarone ai që projektohet si zgjidhja e boshllëkut të krijuar nga largimi i shtatlartit shqiptar, për të cilin, në intervistën e tij, Vergasola, ndër të tjera, thotë: "Përsa i përket Bogdanit, më vjen shumë keq (që është larguar), pasi ka qenë padyshim një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, pa përmendur këtu faktin se ishte një futbollist i zoti dhe nje djalë i mirë... i uroj të ketë sa më tepër fat, sepse është një futbollist i shkëlqyer dhe se e meriton një gjë të tillë."
Sulmuesi i Kombëtares kuqezi ka luajtur deri më tani në dy ndeshje për skuadrën e Kievos, të dyja në kampionat, duke qenë në fushë për 85 minuta në atë debutim me fitore që skuadra e trajnerit Del Neri arriti në fushën e vet kundër Katanias, si dhe gjatë gjith ndeshjes së humbur me rezultatin 1-2 në fushën e Sienës, të dielën e shkuar. Ndërkaq, shqiptari nuk u aktivizua në ndeshjen e kthimit të cerekfinaleve të Kupës së Italisë, që Kievo e humbi 1-2 me Sampdorian.