E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani, dy gola si nxehje para Juves



Erjon Bogdani me dy golat e tij në miqësoren e fituar 12-0 të Kievos ndaj formacionit Sant'Anna d'Alfaedo, dha sinjale të mbara vetëm 48 orë përpara ndeshjes hapëse të verdhebluve veronezë në tranfertën e vështirë kundër Juventusit, që përkon me javën e parë të kampionatit italian, Seria A, ku marrin pjesë 20 skuadra. Sulmuesi shqiptar i Kievos i realizoi dopjetën e tij në pjesën e dytë. Në ndeshjen kundër Juves, i pranishëm në Torino do të jetë edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. Në një prognozë të faqes së njohur sportive Eurosport.com për të 20 klubet e Serisë A, thuhet se forca e Kievos qëndron te grupi. Trajneri Di Karlo synon të luajë jo më me tre sulmues (4-3-3), një rreshtim që ka rezultuar pak produktiv, por me një modul më pak spektakolar, por më shumë efikas. Erjon Bogdani (vetëm një gol sezonin e kaluar) konsiderohet si një nga lojtarët titullarë të 11-shit bazë dhe do të formojë dyshen e sulmit me kapitenin Pelizieri.

Hyka, “Davidi” shqiptar kundër gjigantëve gjermanë

Mesfushori i Mainc 05 dhe i Kombëtares shqiptar, Jahmir Hyka, luajti disa minuta në ndeshjen e fundit të ekipit të tij në barazimin 1-1 kundër Hanoverit, duke bërë edhe debutimin në një prej kampionateve më prestigjioze në kontinent. Tashmë “liliputi” shqiptar (Hyka është vetëm 1.68 cm), synon minuta të tjera kundër “gjigantëve” të futbollit gjerman, Bajernit të Munihut, 23-herë kampion i Gjermanisë dhe katër herë fitues i Ligës së Kampioneve. “Davidi” shqiptar është një ndër 15 lojtarët e huaj në grupin e Mainc 05 për këtë sezon. Në tetë ndeshje në total të zhvilluara midis Maincit e Bajernit në të gjitha kompeticionet, skuadra aktuale e Hykës ka arritur vetëm një barazim, duke humbur shtatë të tjerat. Në dy ndeshjet e fundit, që i përkasin sezonit 2006-2007, Bajerni i fitoi dy takimet: 4-0 në Mainc dhe 5-2 në Munih.

Kosovari Bunjaku i shpall
“luftë” grekut Haristeas

Kosovari Albert Bunjaku mund të nxjerrë jashtë loje sulmuesin grek Angjelos Haristeas në “luftën” për një vend titullari në ndeshjen e radhës të Nurembergut kundër Hanover 96 të Altin Lalës (ende në rikuperim e sipër). Bunjaku shënoi në javën e 2-të golin e barazimit 1-1 kundër Eintrahtit të Frankfurtit dhe “akrobati” i ka shanset më të mëdha për t’u aktivizuar. Në dy javët e para, si Nurembergu ashtu dhe Hanoveri, kanë nga një humbje dhe një barazim. Te Hanoveri nuk do të jetë në bankinë trajneri Diter Heking, i cili dha dorëheqjen. Valdet Rama i ka të gjitha mundësitë për ta nisur takimin nga minuta e parë me Hanoverin, por dhe kosovari është në “duel” me mesfushorin e djathë Krzunovek.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›