E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka bën të “fortin”: “Dua sa më pak dhunë”

FSHF-ja kërkon sa më shumë spektakël, por sezoni i kaluar flet kundër

“Sa më shumë spektakël, sa më pak dhunë”. Ky është slogani i Federatës Shqiptare të Futbollit për sezoni e ri futbollistik 2009-2010, që nis të dielën me ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore. “Dëshiroj të kemi sa më shumë garë. Kemi marrë masat e duhura, për të eliminuar dhunën në stadiumet tona. Do të kemi një edicion më të mirë”, - tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë një ceremonie zyrtare në hotel “Rogner” me rastin e fillimit “virtual” të edicionit të ri, ku merrnin pjesë përfaqësues të gjitha klubeve shqiptare të futbollit. Në fakt, sezoni i kaluar flet kundër, pasi në shumë raste fushat sportive u shndërruar në arenën e dhunës, ku kulmojnë ngjarjet e Pukës e Sarandës, që sollën edhe përjashtimin e Tërbunit e Butrintit, tashmë të rikthyera në Kategorinë e Dytë. Rasti i goditjes së gjyqtarëve të italianë në Peqin, solli edhe pezullimin e fushës së Shkumbinit (sapo iu falën dy ndeshje e mbetura nga pezullimi), mori ngjyra ndërkombëtare.

“Errësirë” televizive
Projekti “Duka” për t’ia shitur në grup të drejtën televizive të ndeshjeve të Kategorisë Superiore kompanisë gjermane “UFA Sports” thuajse mund të konsiderohet e dështuar. Tre klubet më të mëdha të vendit, Tirana, Vllaznia e Dinamo e kanë kundërshtuar këtë ide, pasi shuma e ofruar është gati qesharake: 300 mijë euro në sezon, që në terma më financiare, kjo në bazë edhe të kushteve të ofruara, do të thotë diçka më pak se 20 mijë euro në vit për një sezon futbollistik, kur përveç transmetimit televiziv, “UFA” dëshironte të menaxhonte edhe reklamat e stadiumeve, imazhin e futbollistëve, logot e skuadrave për një periudhë katër vjeçare.

Jo më short
Gjyqtarët e ndeshjeve për të gjitha nivelet do të caktohen nga Sektori i Garave dhe jo më përmes shortit siç veprohej në sezonet e fundit (hidhej direkt në televizionin “Alsat”). shefi i këtij sektori, Ilir Shulku, tha se kjo metodë do të aplikohet në bazë të kushteve të vena nga UEFA, pas nënshkrimit të FSHF-së së “Konventës së arbitrave”. Gjykimi ka qenë një ndër hallkat më të dobëta në kampionatet shqiptare, sidomos të atyre inferiore. Gjithsesi, edhe kjo skemë “ndërkombëtare” nuk pritet të shpëtojë “bilbilat” nga gabimet njerëzore të tyre, ku sezonin e kaluar, viktimë e pastër (dhe me vetëdije) ishte Partizani.

Box:
Krizë federimesh
Vetëm tre nga 12 klube të Kategorisë Superiore kanë regjistruar lojtarët e tyre për sezonin e ri pranë Sektorit të Garave të FSHF-së. Lajmin e bëri të ditur shefi i këtij sektori, Ilir Shulku. Afati fundit i merkatos verore është 31 gushti. Të 12 skuadrat e Superligës kanë kryer një merkato intensive, ku të paktën regjistrohen rreth 90 lëvizje lojtarësh nga një klub te tjetri, apo dhe të ardhur nga kampionatet e huaja, kryesisht nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Mali i Zi.

Kategoria Superiore
Java I, 23.08.2009

Tirana-Flamurtari
Skënderbeu-Laçi
Gramozi-Shkumbini
Besa-Vllaznia
Apolonia-Teuta
Kastrioti-Dinamo

Kategoria e Parë
Java I, 29.08.2009

Dajti-Ada
Pogradeci - Turbina
Lushnja - Luftëtari
Elbasani - Besëlidhja
Memaliaj - Bylis
Burreli - Sopoti
Gramshi - Skrapari
Partizani – Bilisht Sport

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›