Bogdani fabrikon arrestimin e Fazlliçit
Antena brenda familjes
Damir Fazlliç, këshilltari më i afërt dhe njeriu më konfidencial i kryeministrit, Sali Berisha, u arrestua në Bosnjë në prani të të kërkuarit për krime lufte, ish-komandantit të Srebrenicës, Naser Otiç. Lajmi ra si bombë në Tiranë dhe zyrat e qeverisë ishin bosh. Flamuri, i cili përgjigjet në këto raste për situatën, ishte duke mbajtur tabelat në rrugën Kardhiq - Delvinë dhe nuk e ndihmonte dot Bogdanin. U lidh me doktorin, por ai akoma s’e kishte mbledhur veten dhe nuk e hapte telefonin. U lidh me Lulëzim Bashën. Ai po i fliste më zë të ulët dhe nuk merreshin vesh.
- Çfarë ke që flet me zë të ulët? - i tha Bogdani.
- Jam me kuantin, është keq, - tha Luli, - jemi në spital.
- Pse, ç’ka kunati? - i tha Bogdani. - Unë dje e takova, ishte mirë.
- I ra si bombë kjo e Damirit, nuk e duron dot.
- Ashtu? Po si t’ia bëjmë ta ndihmojmë?
- Nuk e di. Po i them që nuk është e vërtetë, po s’e beson. Duhet t’i nxjerrim ndonjë njeri në telefon të thotë që “jam Damiri, nuk jam arrestuar”. Kanë katër firma bashkë. I ikën gjithë biznesi, po filluan hetimet. Le që është dhe ajo puna e parave nga Qiproja.
- E gjeta, - tha Bogdani. - Kam unë një të njohur në Bosnjë. Ta vë ta marrë në telefon, të bëjë si Damiri, t’i thotë që jam mirë.
- Jo, jo, se e njeh zërin. Duhet ndonjë gjë tjetër.
- E gjeta, - tha prapë Bogdani. - Po e vëmë këtë njeriun të marrë në telefon ndonjë TV dhe të thotë që jam Damiri, nuk jam arrestuar.
- Po kë TV të marrim, se te “Klani” nuk e beson ai? E di që është i qeverisë. Duhet ndonjë tjetër.
- E bëjmë te “Top Channel”, se nuk është drejtori, është në Golem, më duket, - tha Bogdani.
Ashtu bënë. Pas gjysmë ore, në telefonin e drejtorit “Top”-it foli dikush anglisht dhe u paraqit si Damir Fazlliç. I foli me shumë përzemërsi Ballës dhe i tha: “Po çuditem, se jam në Londër dhe po dëgjoj që jam arrestuar. Ti e di që unë kam respekt për “Top Channel”. Dhe në Londër vetëm atë shikojnë të gjithë. Nuk ka mundësi ta bësh këtë gjë ti. Mos dëgjo median shqiptare. Ai i gazetës “TemA” e bën këtë, e di. Po ai gënjen. Ai ka inat me Lul Bashën dhe ma nxjerr mua. Unë kam biznese me Bashën, e njoh mirë, është djalë korrekt.”
- OK, - i tha Balla. - Po të jetë kështu, po të bëjmë një intervistë dhe thuaje vetë me zë.
- Shumë mirë, por po deshe më merr te një telefon me 0038.....se kam problem me këtë telefonin e Londrës.
- OK, ashtu po e bëj, - i tha Balla dhe i ra shkurt. Mori një gazetar në redaksi, i dha numrin dhe i tha të lidhej me Fazlliçin.
Pas njëzet minutash në “Top Channel” u transmetua lajmi se Fazlliç ishte i lirë dhe ndodhej në Londër. Ai foli dhe për “Top”-in dhe shau dhe median shqiptare.
Festë e madhe. Sa dëgjoi këto, Erioni, kunati i Lul Bashës, u ngjall. U ngrit nga krevati dhe iu hodh Lulit në qafë.
- Fitore, - i tha. - Shyqyr, se na ngriu gjaku. Dhe këtë kishim mangut. S’kemi paguar as dhjetë përqindëshin e asaj transfertës, do na bëjnë namin më keq se për Gërdecin.
Pas kësaj, Basha u lidh në telefon me Bogdanin.
- Faleminderit, - i tha, - u zgjidh. - Rrofsh. Tani u bë mirë. U ngrit dhe po bën muhabet me ne. T’i bëj dhe një telefon Argitës, t’i them të jetë e qetë se s’ka gjë. Po e ke telefonin, thuaji ndonjë gjë dhe ti asaj avokates tjetër të qetësohet. Se dolën huq. S’kanë ç’thonë më tani për ne.
Bogdani, i gëzuar, u nis në zyrë te minibashkia të bënte gati deklaratën për shtyp. Hapi i gëzuar TV dhe po shihte lajmet nga “Vizion Plus”. Kur ç’të shikonte. Damiri me pranga në duar duke u futur në burg.
- Si t’ia bëj? - tha prapë i hutuar. - Më mirë të themi që nuk janë arrestuar gjithë Fazlliçët, dhe s’kemi pse dyshojmë që ai që është arrestuar është doemos miku ynë.
- Mirë e ke, - i tha Flamuri në telefon, - po këta shkërdhatat duan të dinë ç’është bërë me mikun tonë, jo me gjithë Fazlliçët.