Teuta, vjen fitorja e parë
Pas pesë javësh “agjërim” erdhi më në fund edhe fitorja e parë e Teutës në sezonin 2008-2009. Një fitore bindëse 2-1 kundër Apolonisë në “Tofik Jashari”, në ndeshjen hapëse të javës së 6-të të Superligës. “Janë tri pikë të çmuara, - tha trajneri i Teutës, Sulejman Starova pas ndeshjes, - dominuam në pjesën e parë, ndërsa në të dytën luajtëm pak më të ndrojtur”. Për formacionin durrsak shënuan Hysa (13’) e Jakupi (34’), ndërkohë që për fierakët shkurtoi diferencën serbi Bërkiç në minutën e 73-të. Me një kryevepër nga goditja standarde. “Takimi mund të përfundonte edhe 3-1, por u kujdesëm të merrnim pikët e plota, dhe kjo ishte më rëndësishmja”, - shtoi ish-trajneri i Partizanit.
Teuta (6 pikë), duket se bëri një hap të madh për të dalë nga “ferri” i vendeve të fundit, duke pasur pas vetes tashmë Besën, Partizanin, Bylisin e Lushnjën (nga një ndeshje më pak).
“Pikët që kemi marrë nuk janë të pakta, pasi në këto javë jemi përballur me katër ekipet pretendente për titull. E kam përsëritur dhe herë të tjera se kemi bërë lojë të pëlqyeshme dhe se fitorja do të vinte”, - theksoi me qetësinë e tij “Bobi”.
Për Apoloninë, pas fitores befasuese në kryeqytet me Partizanin (0-1), kjo ishte humbja e tretë në gjashtë javë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 6
Dje, 03.10.2008
Teuta-Apolonia 2-1
13 Hysa, 34 Jakupi /73’ Berkiç
Sot, 04.10.2008
Besa - Elbasani
Shkumbini - Lushnja
Dinamo - Vllaznia
Bylis - Tirana
Flamurtari - Partizani
* Ndeshjet fillojnë në orën 15:00
4 Tetor 2008