E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani nis kërkimet për tender-gazetarin

Nga Tema

Antena brenda familjes

Pas intervistës popullore të kryeministrit në TV “Klan”, ku përveç katër gazetarëve ishin dhe fakultetet përkatëse, si dhe regjia që kishte gati pyetje për ta nxjerrë nga ndonjë temë delikate atë gjatë intervistës, Bogdani ngeli tërësisht i paqartë për skenarin. Dy gjëra nuk i kishte parashikuar. E para, që ai burri në fund të shante prapë gazetarët dhe e dyta, që do t’i shante pa emër. Ai akuzoi dy vetë, një tender-gazetar dhe një biznes- gazetar.

I paqartë se me kë e kishte, pyeti Flamurin. Ky i fundit hapi letrat e tij dhe filloi.

- Ka shumë mundësi, - tha, - që e ka me atë që ka bërë spotin publicitar. Duhet ta gjejmë kush e ka bërë spotin, se me atë e ka. Atij i thotë tender-gazetar, se ai detyron çdo ministër të bëjë spot, që ta bëjë ai.

- Jo, jo atë e njoh unë, - tha Bogdani. - Është Aleksandër Frangaj. Ai nuk bën tendera. E ke gabim. I ka marrë të gjitha me prokurim të drejtpërdrejtë. Dhe nga Mediu, dhe nga Pango, dhe nga ai burri.

- Epo, do ta ketë për një tjetër që bën rrugë, - tha Flamuri. - Ai ka marrë nja 110 milionë euro tendera në emër të një firme të përbashkët me një serb.

- Jo, nuk besoj ta ketë as me atë, se ai ka mik Delijorgjin dhe i prish punë po foli.

- Atëherë, një nga këta të dy qenka biznes-gazetari. Po ky tender-gazetari nuk po gjendet. Do jetë ky i gazetës “TemA”, se bën shumë shkrime kundër tenderave në gazetë.

- Me atë s’merrem më. I çova Policinë Ndërtimore t’i prishte shtëpinë, shpëtoi një herë. Herën tjetër do flas ndryshe. U kam thënë, mo ta shoh më para syve, po s’kemi pushtet ne, s’më besojnë që e kam porosi nga ai burri. Mendojnë se më ka mbetur hatëri mua nga ato që shkruan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›