E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Të nxitohet për reformën zgjedhore dhe të pajisen qytetarët me mjete identifikimi

Nga Tema

Një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian tha dje se duhet të nxitohet në lidhje me reformën zgjedhore. Shefi i Sektorit përgjegjës për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Dirk Lange, i cili ndodhet për vizitë në Shqipëri, vizitoi dje zyrën e gjendjes civile në Vorë për të vrojtuar rezultatet konkrete të projektit të asistencës prej €2.5 milionë të BE për modernizimin e regjistrit civil dhe sistemit të adresave në Shqipëri. Projekti po zbatohet nga Prezenca në Shqipëri e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në partneritet me Këshillin e Evropës dhe mbështetet me fonde shtesë nga Statistics Norway dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur për mediat, Lange theksoi rëndësinë e plotësimit të infrastrukturës zgjedhore para zgjedhjeve të përgjithshme në 2009 si edhe rëndësinë e arritjes së një progresi të kohshëm në përfundimin e punës me regjistrin civil, Kodin Zgjedhor dhe administratën zgjedhore. “Shqipëria duhet të sigurojë një regjistër civil të saktë dhe pajisjen me dokumente identifikimi sipas standardeve ndërkombëtare të të gjithë votuesve në një kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, - tha Lange.

Ndërsa ambasadori i OSBE në Shqipëri, Robert Bosch, ngriti shqetësimin e tij në lidhje me çështjen e kandidateve femra për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai tha se edhe pse është bërë një ndryshim në draftin zgjedhor, sërish ai nuk mundëson që femrat të jenë në parlament. Bosch foli gjithashtu për nevojën e mbrojtjes së të dhënave. “Prezenca e OSBE në Shqipëri e sheh modernizimin e sistemit të regjistrimit civil në vend si një instrument të rëndësishëm dhe të nevojshëm për mbështetjen e procesit të reformës zgjedhore. Është e qartë që listat e votuesve do të jenë një rezultat kyç i sistemit të regjistrimit civil. Kështu që, cilësia e të dhënave përbën një element thelbësor për modernizimin dhe përmirësimin e ardhshëm të shërbimeve publike”, - tha Shefi i Prezencës së OSBE, Bosch. “Përpjekje të mëtejshme duhet të ndërmerren. Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave duhet të ngrihet dhe puna për sistemin e adresave duhet të vazhdojë. Por hapa të rëndësishme po merren”, - shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›