Bogdani me Flamurin dështojnë në rrugën Rrëshen- Kalimash
Gert Bogdani ka qenë ca si konfuz këto kohët e fundit. Vendosi të shkojë të pijë një kafe me Flamurin për të testuar si i kishte punët. I ngarkuar me detyrën e re, pa zyrë, pa vulë dhe pa orientime të detajuara, i dukej vetja kot, si parazit. Më shumë e shqetësonte mendimi se ai burri s’po e përdorte më dhe larg qoftë, i shkonte në mendje mos kish gjetur ndonjë tjetër më të përshtatshëm.
Me këtë mendim shkoi nga Flamuri, më shumë për t’i blerë mendjen.
Flamuri e priti me indiferencë, pa e ngritur kokën nga letrat në zyrë.
- Nuk e di, po kjo puna e re akoma s’më ka ngjitur, - foli Gerti i pari.
- Pse, ç’punë ke bërë më parë ti shoku? - e pyeti Flamuri.
- Si ç’punë? Po ja, zëdhënës i PD, ti e di.
- Po pse mor burrë, pune i thua ti asaj?! Lexoje fermanin e atij burrit, as e hartoje vetë, as e shkruaje vetë. Po atë punë e bëjnë dhe shpendët. Botës ua bën papagalli atë punën tënde.
- Mos u tall, - i tha Gerti, - po më thuaj ç’të bëj ndonjë gjë t’i tërheq vëmendjen tani, para se të bëhen zgjedhjet e forumit.
- Po ja, gjej një autobus me ca gjimnazistë, po fryje faturën që të fitoj dhe unë ndonjë lek, dhe çoji në rrugën Rrëshen-Kalimash...
Gerti u bë entuziast. Porositi një autobus, e mbushi me gjimnaziste pa të drejtë vote dhe u nis drejt Kalimashit.
Ata që s’kishin dalë kurrë nga Tirana, veçse deri në Durrës, filluan të mahniten nga bukuria e maleve dhe e natyrës. Diku në një livadh panë një tufë me lopë dhe ndaluan të bënin foto me celular. Iu tërhoqi vëmendjen që lopët e tufës se ç’kishin një plastikë të verdhë te veshi.
I pari pyeti Gertin.
- Gerti, çfarë është ky vëthi te veshi i lopës apo janë lopët e këtyre amerikanëve që bëjnë rrugën, ndjekin modën?
- S’di ç’të them, - tha Gerti. - Ja se vjen Flamuri me makinën e tij nga pas dhe ua shpjegon, se ai kupton nga lopët.
Sapo zbriti nga makina Flamuri, dy vajzat gjimnaziste iu turrën.
- Xhaxhi Flamur, lopë amerikane janë këto që mbajnë vëthë në vesh?
- Nuk është vath, po është matrikull, - tha Flamuri. - I vendoset çdo lope që të dihet ç’numër ka...
- Pse, ka database dhe për lopët? - pyeti vajza.
- S’di ç’të të them, - i tha Flamuri. - Kemi njëfarë database për lopët. Se vumë Jeminin të bënte database për lopët dhe e bëri, pastaj nga entuziazmi vumë një lopë të bënte database për njerëzit, dhe na e la gjysmë.
- Ua, sa interesante, - tha vajza. - Si quhet kjo lopa?
- Nuk ka emër, - i thonë Poni, - tha Famuri i nxehur.
- Ua, xhaxhi Flamuri, ti s’ditke anglisht. Poni i thonë kalit, jo lopës.
- E mirë, vumë një kalë pra, ç’të them unë, - i tha Flamuri.
- Xhaxhai Flamur, po kartë identiteti kanë lopët, po pasaportë biometrike, se ato i kanë sytë e mëdhenj?
- Nuk kanë, - tha Flamuri, - se nuk janë për jashtë shtetit. Pa bërë aplikimin për në BE, nuk eksportojmë dot lopë.
Ndërkohë kishin arritur te rruga. Flamuri filloi t’iu shpjegojë se sa e bukur qe rruga, se sa i gjatë ishte tuneli dhe se, po të mos ishte ai burri, ne s’do ta kishim shijuar këtë mrekulli.
- Xhaxhi Flamuri, ku të çon kjo rruga e bukur? Çfarë ka pas atij malit?
- Pas atij malit është fshati im, - tha Flamuri.
- Po çfarë ka ndonjë gjë të bukur atje që keni bërë rrugë kaq të bukur dhe me kaq shumë pará? Është ndonjë vend turistik që vijnë nga gjithë bota, ka disko, ka plazh, çfarë ka?
- Deri më sot jemi shquar për patate, - tha Flamuri. - Tani që u bë rruga, nuk e di me se do merremi, se mushkat nuk ecin dot në këtë rrugë, se rrëshqasin.
- Po pse e keni bërë kaq të madhe pastaj? - pyeti gjimnazistja.
- Po kjo na lidh me Kosovën, - tha Flamuri, - dhe pastaj me gjithë Evropën...
- Ëhë, e kuptova, - tha vajza, - nuk qenka për ne.
Gazetari i TV “Klan”-it po filmonte skenën dhe gjimnazistët që dëgjonin Flamurin. Ai iu afrua kameramanit dhe i tha ta regjistronte pa zë, se zërin do ta fuste vetë.
Në mbrëmje reportazhi u dha në TV “Klan”. Në plan të parë dukej Bogdani me Flamurin që u flisnin gjimnazistëve dhe zëri i gazetares së TV “Klan”-it që thoshte.
“Të rinjtë u mahnitën nga kjo vepër inxhinierike dhe disa prej tyre vendosën t’i kërkojnë aty Gert Bogdanit teserën e Forumit Rinor të PD. Ky i fundit iu premtoi që sapo të ktheheshin në Tiranë, ata do të ishin anëtarë të këtij Forumi. Kjo është dhe një përgjigje e mirë për gjithë ata që kritikojnë shpenzimet e buxhetit për këtë rrugë”, - e mbylli gazetarja.
Reportazhi mbyllej me pamje nga një miting i Berishës me një billboarder nga pas, ku shkruhej “Shqipëria po Ndryshon”.
Ai burri që po e ndiqte kronikën në TV, mori Gertin në telefon dhe e përgëzoi.
- Gerti, të përshëndes. E ke bë shumë mirë. Ishte e mrekullushme. Të përgëzoj. Dëgjo, shiko, mbaj shënim... nejse, lëre njëherë. Harrova, s’je më zëdhënës ti. Shumë mirë i ka shkuar mendja kësaj Erlës për gjithë këtë aktivitet. Përgëzoje nga unë...
- Jo,.... d.m.th., nuk i ka vajtur asaj në mendje po ...
- Përshëndete Gerti. Është vajzë e zgjuar. Ka me qenë në listë e para nga gratë në Mirditë. E kish bë shumë mirë këtë reportazhin.
Gerti u zverdh i gjithi.
- Unë punoj, të tjerë i gëzojnë frytet, tha me vete.