Sirenat e alarmit
Kolumnistja e “Wall Street Journal”, Peggy Noonan, thoshte dikur se në çdo takim të bordit editorial, çdonjëri kishte mundësi, ndërsa vetëm analisti i sondazheve kishte faktet.
Në Greqi kemi parë shumë skepticizëm muajt e fundit, veçanërisht kur sondazhet nuk reflektojnë qëndrimin që ka çdo kritik individualisht për botën. Dikur ishte opozita e PASOK që i vinte në dyshim sondazhet, jo Demokracia e Re në pushtet. Arsyet janë të qarta.
Sigurisht, një sondazh nuk është garë elektorale. Ai është thjesht një foto e një momenti të veçantë që tregon gjendjen e gjërave vetëm atë çast. Gjërat mund të ndryshojnë, por që të ndodhë kjo, duhen studiuar sondazhet. Një shifër e vetme nuk thotë shumë - ajo vlen thjesht të nxitë eufori ose dëshpërim, zakonisht në televizion - por një kombinim rezultatesh, duke shtuar edhe rezultatet e sondazheve të kaluara, mund të japin një pamje goxha të qartë për situatën e tanishme.
Një sondazh i botuar nga “Kathimerini” dhe transmetuar nga “Skai” javën e kaluar përcolli valë tronditëse në rrethet politike dhe gazetareske. Kaq e vërtetë është kjo, saqë strategjistët politikë të partisë në pushtet vrisnin mendjen se çfarë kishte ndryshuar që prej shtatorit të kaluar. Kjo nuk habit njeri, përderisa PASOK ishte rritur me 7.5 për qind. Por tronditja ishte e njëjtë, kur e njëjta kompani bëri sondazhe në vitet 2000, 2004 dhe 2007, vetëm se asokohe shifrat i vinte në dyshim PASOK. Një moment ata shqetësoheshin për njerëzit e anketuar, pastaj kalonin te parametrat e përgatitjes etj. Pastaj erdhën zgjedhjet dhe rezultatet u vërtetuan.
E bukura është se askush nuk e vrau mendjen të bënte verifikime. Sondazhet nxjerrin në pah një problem, por sugjerojnë edhe një zgjidhje. Këshilla të tilla si “Mos i besoni shifrat”, thjesht i konfirmojnë ato.
Ka shumë mënyra që një qeveri të humbasë zgjedhjet dhe rruga më e sigurt është mohimi i realitetit. Sondazhet ngjajnë shumë me sirenat e alarmit dhe disa duan t’i pushojnë, sepse zhurma u prish gjumin.
Megjithatë, zgjimi i këtyre njerëzve do të jetë vërtet i pakëndshëm.