Shpenzimet paraelektorale po fusin ekonominë në kolaps
JCR Eurasia Rating, një agjenci vlerësimi me bazë në Turqi, ndryshoi vlerësimin e saj për borxhin publik të Shqipërisë nga “i qëndrueshëm” në “priret negativisht”, si rezultat i përkeqësimit të situatës makroekonomike në vend, një shenjë e qartë kjo e sfidave, me të cilat po përballet vendi. “JCR Eurasia Rating ruajti normën afatgjatë të vlerësimit për Republikën e Shqipërisë në BB+ (dy B plus), ndërsa normën afatshkurtër të vlerësimit e ripohoi B (një B). Një pikëshikim “negativ” u hodh mbi të gjitha normat e vlerësimeve, për shkak të përkeqësimit të treguesve makroekonomikë, teksa recesioni financiar global ka dhënë efektet e tij ngadalësuese në ekonomi”, - tha kompania të premten në një deklaratë për shtyp.
“Deficiti tregtar dhe deficiti i llogarisë korente ndaj normës së GDP dhe shpenzimet e pritshme populiste para 28 qershorit, ditës së zgjedhjeve të përgjithshme, mund të dëmtojnë ashpërsisht klimën makroekonomike në vend”, - shtoi agjencia. JCR u kontraktua në vitin 2008 nga Ministria e Financave për të vlerësuar cilësinë e borxhit publik të vendit. Një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare e kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare për shpenzimet parazgjedhore.
FMN këshilloi disa javë më parë se qeveria duhet të shtyjë për më vonë ose të anulojë rritjen e parashikuar për 1 maj të pagave dhe pensioneve, ndërsa Banka e Shqipërisë i bëri thirrje qeverisë që të anulojë disa nga projektet e investimeve këtë vit.
Ministria e Financave hapi një tender ndërkombëtar për të marrë 300 milionë euro kredi në janar, por përpjekja e parë dështoi për shkak të mungesës së ofertave. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi në krye të javës se ai shpreson që ta marrin kredinë në fillim të majit. Shqipëria po përballet me një rritje të fuqishme të normave të interesave të borxhit në monedhën vendase.