E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëlarë me ujëra që shkojnë dëm

Nga “The Economist”

Fjala kineze për politikë (zhengzhi) është një simbol, i cili duket si tri pika uji afër një dige. Politika dhe kontrolli i ujit, thotë simboli kinez, janë të lidhura ngushtë.

Një mënyrë e tillë të menduari është në kontrast me pikëpamjen e zakonshme përreth botës, e cila argumenton se, ngaqë njerëzit nuk mund të jetojnë pa ujë, duhet të jetë e drejtë bazike njerëzore, e gatshme për të gjithë, preferohet pa çmim. Simboli kinez na tregon një qasje më të dobishme. Në shumë vende uji po pakësohet. Ta trajtosh si të drejtë, e bën pakësimin edhe më të keq. Disa nga lumenjtë më të mëdhenj të botës nuk mbërrijnë më në det. Në shumë qytete uji vjen i racionuar. Thatësirat dhe përmbytjet po bëhen edhe më ekstreme.

Këto probleme kërkojnë ligje. Idealisht, përdorimi eficient i ujit do të inkurajohej duke bërë që të paguhet, por përpjekjet për ta bërë këtë gjë kryesisht janë vërtetuar të jenë politikisht të pamundura. Një alternativë më praktike është një sistem i të drejtave të tregtueshme të përdorimit të ujit. Ato që dikur dukeshin si vështirë të ndara, lokale, në Kaliforni, në Aetin e tharë Aral, në Sahel, tani duken më shumë si manifestime të një problemi global. Ashtu si shpjegon artikulli ynë, shumë probleme të ujit kanë shkaktarë globalë: rritja e popullatës, ndryshimi klimatik, urbanizimi dhe sidomos ndryshimi i të ushqyerit. Duhen 2,000 litra uji për të rritur një kilogram perime, por 15,000 litra për të prodhuar një kilogram mish viçi, dhe njerëzit hanë më shumë mish. Problemet gjithashtu kanë implikime globale. Pa një revolucion të ri të gjelbër, fermerët do të kenë nevojë për 60% më shumë ujë për të ushqyer 2 miliardë njerëz shtesë, të cilët do të lindin prej tani e gjer në vitin 2025.

Mirëpo, globalisht ende nuk ka mungesë uji. Ndryshe nga burimet tona të tjera (si nafta), uji nuk mund të harxhohet. Riciklohet në mënyrë të pafundme, si shi, borë apo avullim. Mesatarisht, njerëzit marrin për përdorimin e tyre më pak se një të dhjetën e asaj që bie si shi dhe borë çdo vit. Problemi kryesor është se harxhohet shumë ujë, kryesisht nga fermerët. Agrikultura përdor tri të katërtat e ujërave të botës (përdorimi urban nuk është i rëndësishëm: shumica e njerëzve pinë dy apo tri litra në ditë mesatarisht, por duhen 2,000 gjer në 5,000 litra për të prodhuar ushqimin që hanë). Për shkak se uji zakonisht është falas, të korrura si alfalfa, të cilat pinë shumë ujë, rriten në Kaliforni. Gruri në Indi dhe Brazil përdor dyfish më shumë ujë sesa gruri në Amerikë dhe Kinë. Shtetet e thata si Pakistani, eksportojnë tekstile, edhe pse 1 kg bulon i tekstilit kërkon 11,000 litra ujë.

Çdo ekonomist e di çfarë të bëjë: t’i vihet çmim ujit për të reflektuar vlerën e tij. Por dekada të tëra përpjekjesh që të bëhet kjo për agrikulturën, janë përballur me rezistencë të fuqishme nga fermerët. Ata refuzojnë pagesën e ujit, për arsyen se uji bie nga qielli. Asnjë qeveri nuk e zotëron, andaj asnjë qeveri nuk duhet të marrë pará për të.

Mbulo dhe tregto

Ekziston një rrugëdalje. Fermerët e Australisë kanë të drejtë të përdorin një sasi të caktuar të ujit pa pagesë, ata mund t'ua shesin këtë të drejtë të tjerëve.

Por, nëse dëshirojnë më shumë ujë për veten, ata duhet ta blejnë nga një fqinj. Rezultati i këtij tregtimi është një treg që ka bërë atë që bëjnë tregjet: alokimin e burimeve drejt përdorimit më produktiv. Australia ka tejkaluar thatësirën e saj më të keqe në historinë moderne në dhjetë vitet e kaluara. Furnizimet me ujë në disa rajone bujqësore janë përgjysmuar. Mirëpo fermerët janë përgjigjur ndaj sinjaleve të tregut të ri duke u kthyer në të korra që nuk janë aq të etura dhe kanë mbajtur të qëndrueshme vlerën e prodhimtarisë së fermës. Prodhimtaria e ujit është dyfishuar. Sistemi i Australisë i tejkalon kundërshtimet e zakonshme, sepse e konfirmon të drejtën e fermerëve mbi ujin dhe i lejon ta marrin shumicën e ujit falas.

Të drejtat për përdorim që janë të tregtueshme kanë një përparësi tjetër: ato mund të përdoren të gatshme në shtete të mëdha si Kina dhe India, të cilat nuk kanë metër për të matur përdorimin, apo sisteme të fuqishme legale që të detyrojnë të drejtat e përdorimit. Në vend të infrastrukturës së sofistikuar, këta varen nga dituria dhe besimi lokal: fermerët e shesin një pjesë të kohës së tyre te pompat. Një sistem i tillë funksionon në disa pjesë të Punjabit në Pakistan.

Të drejtat për përdorim kanë gabime. Së pari, këto konfirmojnë vijat ekzistuese të përdorimit që shpesh nuk janë eficiente. Fermerët mund të bëjnë hile, kështu ka ndodhur në Australi. Këto janë më së shumti një fillim i mirë. Por kjo do të ishte më mirë se ajo që kemi sot, e cila është racionim sporadik dhe kërcënim nga një krizë gjigante. Apo çka mund të vijë pas kësaj është një konvertim i detyrueshëm e masiv në vegjetarianizëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›