Bogdani me “jaht” drejt Kaljarit

Kaljari mund të jetë destinacioni i ri i Erion Bogdanit. Klubi sard e vlerëson si sulmuesin e duhur për sezonin e ri që do të nisë më 26 gusht 2007. Lojtari i Kievos (së rrëzuar në Serinë B) ditë pas dite po i krijon bindjen e pakthyeshme trajnerit Marko Xhampaolo se është personi i duhur për t'i dhënë peshë dhe siguri repartit të avancuar të kaljaritanëve. Sulmuesi më i mirë i Kaljarit gjatë sezonit të kaluar, honduriani David Suazo, u transferua te Interi dhe dy sulmuesit e rinj, Matri dhe Akuafreska, nuk mund ta luajnë kurrsesi rolin e tij. Në sulmin e Kaljarit aktualisht nuk ka një emër cilësor që të garantojë jo vetëm qëndrimin në Serinë A, por dhe realizimin e objektivave për një vend në zonën europiane. Espozito, Suazo, Lanxhela e Pepe nuk figurojnë më në grupin e klubit sard që dje nisi edhe stërvitjen e parë. Dhe në këtë situatë shfaqet fuqishëm "alternativa Bogdani", me eksperiencë të madhe në dy kampionatet maksimale italiane ku vetëm në Serinë A ka shënuar 29 gola gjatë aktivizimeve të tij në tri skuadra të nivelit mesatar në Itali. Për ta bërë më të besueshme këtë alternativë, sipas sitit italian realsoccer.it, drejtori sportiv i Kaljarit Salerno dhe ai i Kievos, Sartori, do të bisedojnë për të gjetur akordin e duhur që do të prodhonte dhe transferimin e bomberit shqiptar në ishullin e Sardenjës.
Pas rënies së Kievos në Serinë B, për sulmuesin shqiptar Erion Bogdani, i cili u shpreh për gazetën veroneze "L'Arena" se do të ishte i gatshëm të sakrifikonte për klubin, por jo i vetëm, mediat italiane përmendën një listë të gjatë alternativash: Kaljari, Napoli, Rexhina, Atalanta, Fiorentina, por pa ndonjë ofertë zyrtare për futbollistin për të cilin Kievo shpenzoi 3 milionë euro kur e bleu nga Siena në muajin janar 2007. 30-vjecari, i cili merr një pagë prej 800 mijë eurosh me Kievon, më parë ka luajtur me Partizanin në Shqipëri dhe Rijekën në Kroaci, në Itali ka një eksperiencë të madhe me ekipet e Serisë A dhe B, ku gjatë tetë sezoneve në Itali (nga viti 1999 ka luajtur me Rexhinën, Salernitanën, Veronën, Sienën dhe Kievon.
Kaljari (një herë kampion në sezonin 1969-1970) e përfundoi sezonin 2006-2007 në vendin e 16-të (një kampionat për t'u harruar) dhe përvec largimit të bujshëm të Suazos te Interi janë larguar një numër lojtarësh. Presidenti Masimo Celino, i cili para pak ditësh realizoi blerjen e mesfushorit shqiptar me pasaportë zvicerane, Rijat Shala, si dhe një numri lojtarësh si Matri (nga Rimini), Parola (Sampdoria), Fini (Askoli), Akuafreska (Trevizo), dje zyrtarizoi edhe blerjen e mesfushorit sulmues Franko Brienca (Palermo), i cili nënshkroi një kontratë katërvjecare.
Sirenat e Fiorentinës
Klubi vjollcë pak ditë më parë transferoi Bojinovin dhe për trajnerin Prandeli janë disa alternativa zëvendësimi. Sipas sitit italian pranë Fiorentinës, violanës.it, janë tre lojtarë në plan të parë (Xhuzepe Rosi, Rolando Bianki e Tomaso Roki), ndërsa në plan të dytë si hipotezë vlerësohen edhe Koradi, Bogdani e Lukarelli. Për Bogdanin shkruhet në faqen italiane, më parë duhet mposhtur rezistenca e Kievos, klubi që aktualisht zotëron edhe kartonin e lojtarit shqiptar.
Tare, "kamping" në Austri
Pushimet përfunduan edhe për Igli Taren, ashtu si dhe të gjithë lojtarët e Lacios. Nga dita e diel, skuadra bardhëkaltër ndodhet në Kampfenberg të Austrisë. Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë ndodhet midis 28 lojtarëve të thirrur nga tekniku Delio Rosi, ku midis të tjerëve është edhe kosovari me pasaportë zvicerane, Valon Behrami. Gjithsesi, 33-vjecari Tare nuk është ndër më të preferuarit e presidentit Klaudio Lotito dhe trajnerit Rosi. Për Taren fillon një tjetër periudhë e errët pas aktivizimit të paktë gjatë kampionatit të kaluar. "Kampingu" austriak është shumë i ngjeshur për Lacion, që do të qëndrojë në Austri deri më 28 korrik, ku do të zhvillojë edhe katër ndeshje miqësore me Sv Thal, Kapfenberg, Shtugardin dhe Uest Hamin.
Në Angli do të përballet me Southapmtonin, ndërkohë që Lacio do të marrë pjesë në turneun e Amsterdamit së bashku edhe me Arsenalin e Atletikon e Madridit. Miqësorja me Panathinaikosin e Sotir Ninit (më 8 gusht) mbyll edhe ciklin e miqësoreve të Lacios.
Lala, kapiteni i etur
Hanoveri i kapitenit shqiptar Altin Lala e ka filluar me këmbë të mbarë parasezonin. Pas fitores 5-2 me amatorët e SV Ramlingen/Ehlershausen (Lala luajti në pjesën e dytë), të dielën skuadra fitoi 3-0 miqësoren në transfertë me skuadrën e Oberligës, FC Sachsen Leipzig (kategoria tretë në Gjermani). Para 6 mijë shikuesve, golat për ekipin e Lalës u shënuan nga Jan Rosenthal (45'), Arnold Brugink (66') dhe Fabian Montabell (81'). Altini luajti vetëm në pjesën e parë, për t'ia lënë vendin bullgarit Yankov. Klubi nxorri për fansat edhe bluzat e reja të Hanoverit të prodhuara nga "Diadora". Sponsori i skuadrës së Lalës është kompania e shërbimeve ajrore "Tuifly". Hanoveri do të përballet në një miqësore luksi me Realin e Madridit, takim që do të luhet në "AWD Arena", më 31 korrik 2007. Kalendari i Bundesligës për sezonin 2007-2008 ofron në javën e dytë një përballje shqiptarësh, kur Karlsruhe e bomberit Edmond Kapllani do të presë Hanoverin e kapitenit Lala.