E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani "ndal" Milanin në "San Siro"

Në Serinë A italiane, Siena e Erjon Bogdanit ka arritur një barazim 0-0 shumë të rëndësishëm për ecurinë e saj në kampionati, pikërisht në "San Siro", ndaj Milanit. Kështu, skuadra bardhezi e Beretës, e cila njihet në këtë kampionat për ndeshjet më të mira të zhvilluara jashtë fushës së saj, edhe dje ka bërë të njëjtën gjë, duke ndalur sërish kuqezinjtë e Ancelotit, të cilët duket se nuk po gjejnë "paqe" me barazimet "e bardha", 0-0. Ndërkohë, sulmuesi i kombëtyares shqiptare, Erjon Bogdani, në ndryshim nga dy ndeshjet e para, - aq më tepër që vinte edhe pas një "dopiete" të shënuar në një miqësore disa ditë më parë me Sienën, - dje është aktivizuar në të 72', teksa detyra e tij duket se nuk ka qenë vetëm sulmi, por edhe ruajtja e rezultatit, me vonesa të lojës, ku nganjëherë Eri është kthyer edhe në mbrojtje. Sidoqoftë, pas pikës së marrë dje në "Meaca", tani toskanët e shohin veten në vendin e shtatë, me tetë pikë, ndërsa në datën 15 tetor ata do të presin në "Artemio Franki" të Sienës, Mesinën. Një barazim "të bardhë", 0-0 ka arritur të marrë dje në transfertë edhe Askoli e Ervin Skelës, që ka arritur të dalë me një pikë nga stadiumi "Friuli" i Udines. Një ndeshje, e cila edhe pse është dominuar nga vendësit e Udinezes, nuk është arritur të fitohet nga ata. Përsa i përket "fantazistit" të përfaqësueses shqiptare, ai është aktivizuar në të 64', por nuk ka ndërmarrë asnjë askion të rrezikshëm në portën kundërshtare, parë faktin se më shumë sesa ndonjë aventurë Teserit i ka interesuar pika, e cila e ka renditur Askolin të 14-tin në renditje, me vetëm 3 pikë, të cilat kanë ardhur nga tri barazime. Ndërkohë, një fitore të thellë, 4-0 ka arritur të marrë Lacio e Igli Tares, të shtunën në mbrëmje ndaj Torinos në stadiumin olimpik të qytetit verior. Përsa i përket kapitenit të Shqipërisë, ai është aktivizuar në të 74', teksa ka rrezikuar edhe disa herë të tjera, portën e Abiatit.
Gjergj Cicani
Sport Ekspres

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›