E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, fitore e “djersitur” me Shkumbinin

"Një fitore e vuajtshme, por fort e cmueshme". Kështu e konsideroi trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini fitoren e ekipit të tij 2-1 me Shkumbinin, fitore që u arrit në minutat e fundit të takimit, kur senegalezi Papa Diop goditi fuqishëm më kokë. "Më vjen keq që atë barazim që arritëm të mos e mbanim" pohoi tekniku i Shkumbinit, Vasil Bici.
Dinamo arriti fitoren e dytë në pesë javë dhe për më tepër kundër kryesesues së kampionatit deri në javën e katërt, Shkumbinit, që me humbjen në kryeqytet pësoi edhe humbjen e parë në kampionat.
Një ndeshje jo me shumë ritëm, me një pjesë të parë ku të dy ekipet shumë pak iu afruan portës, për të mbyllur 45 minutat e para në barazim 0-0.
Edhe e dyta filloi më të njëjtën "ngjyrë" pa raste të pastra, derisa erdhi momenti i golit të parë nga Dinamo i shënuar me kokë nga Ilir Qorri (68'). Shkumbini reagoi shpejt dhe në minutën e 88-të , shkodrani i peqinasve Nevian Cani përfitoi nga një pakujdesi e mbrojtjes dinamovite për të arritur barazimin e përkohshëm 1-1. Tekniku Bici udhëzoi të tijtë të rreshtoheshin në mbrojtje, por atëherë kur pritej përfundimi i lojës nga gjyqtari Pajtim Lapi erdhi dhe goli i fitores së Dinamos i shënuar nga Diop , po me kokë në minutën e 90-të.
Në këtë takim për Dinamon u aktivizua për herë të parë mesfushori i Kombëtares Redi Jupi, i porsaardhur nga aktivizimi i tij dy vjecar në Turqi.
Dinamo e meritoi fitoren dhe tashmë ndodhet në kuotën e 6 pikëve, ndërkohë që Shkumbini me humbjen e pësuar i dorëzoi kreun pas katër javësh Tiranës, që tashmë ka një pikë më shumë, 11.
Javën e ardhshme Shkumbini do të presë në Peqin, Partizanin e vendit të tretë, që humbi të shtunën me Tiranën 2-0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›