Bogdani, para divorcit. Kievo i dhuron ndeshjen nr. 300
Fundi i sezonit të Serisë A erdhi me një lajm të mirë dhe një të keq për sulmuesin shqiptar të Kievos, Erjon Bogdani. Lajmi i mirë është se dje, më në fund, trajneri Di Karlo, i cili e konsideron jashtë planeve të skuadrës për sezonin e ardhshëm, i ka dhuruar mundësinë për të luajtur ndeshjen jubilare, të 300 zyrtare në Itali. Ndërsa lajmi i keq ka të bëjë me faktin se pas mbylljes së sezonit, pritet të zyrtarizohet divorci mes shtatlartit dhe skuadrës veroneze, gjë që e detyron Bogdanin të hidhet në kërkim të një skuadre të re, në Serinë A ose jashtë saj. Dita e djeshme me shumë mundësi ishte e fundit për sulmuesin shqiptar me bluzën e Kievos dhe para tifozerisë së kësaj skuadre. Për të ardhur deri këtu, Bogdanit i është dashur të presë shumë kohë në stol, pa u aktivizuar në asnjë nga 7 ndeshjet e fundit. Por dje, në sfidën Kievo-Roma, Erjoni është aktivuar si zëvendësues në minutën e 68 në vend të Granoke, duke kompletuar numrin 300 të ndeshjeve zyrtare të luajtura në Itali, që kur zbarkoi në vitin 2000. Në janar 2000 u transferua te Rexhina në Serinë A, ku në tre sezone e gjysmë, shënoi 11 gola. Me kalabrezët, Erjoni koleksionoi në total 37 prezenca me 4 gola në Serinë A. Në dy sezonet pasuese u dha në formë huazimi te Salernitana dhe më pas te Verona, ku realizoi edhe kampionatin e tij më të mirë me 17 gola, i katërti në listën e golashënuesve në Serinë B. Në verën pasuese blihet nga Siena, për 1,5 milionë euro, ku shënoi 13 gola në Serinë A në një sezon e gjysmë. Në fakt, në janar 2007, ndryshoi sërish skuadër, pasi u ble nga Kievo për 3 milionë euro dhe në fund të sezonit u dha në formë huazimi te Livorno. Por atje Bogdani zhgënjeu me 2 gola në 25 ndeshje. Në fillim të sezonit 2008-2009 u rikthye te Kievo, ku ka luajtur deri më tani. I vetmi trofe i fituar nga Bogdani jashtë Shqipërisë është shpallja kampion i Serisë B me Rexhinën në 2001-2002.
#