Zjarri shkrumbon dhjetëra pisha në Pyllin e Sodës
Një vatër zjarri është shkaktuar aksidentalisht në Pyllin e Sodës pranë një lokali. Brenda disa sekondash, flakët e zjarrit kanë shkaktuar djegien e disa pishave dhe shkurreve. Pronarët e lokaleve pranë vatrës së zjarrit kanë njoftuar zjarrfikëset, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje shumë shpejt. Mbas ndërhyrjes të zjarrfikëseve është bërë e mundur fikja e vatrës së zjarrit. Flakët e zjarrit brenda pak minutash kanë djegur disa pisha pjesërisht, si dhe një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ndryshme. Si rezultat i ardhjes në kohë të zjarrfikësve është shmangur djegia e Pyllit të Sodës, që në këtë qytet shihet si një pasuri e natyrës plot gjelbërim, por konsiderohet dhe “mushkëria e qytetit të Vlorës”. Sipas drejtuesve të repartit të zjarrfikësve, shkaku i rënies së zjarrit ka qenë ai i djegies së mbeturinave nga një pronar lokali. “Mbeturinat mblidhen për një periudhë kohe dhe më vonë u vihet zjarri. Ky veprim është i përsëritur, por sot zjarri doli jashtë kontrollit”, shprehen ata. Për shkak të mosmbajtjes nën kontroll të zjarrit, është shkaktuar përfshirja e një pjese të pyllit nga flakët. Për këtë sezon veror, kjo rënie e zjarrit përbën edhe rastin e tretë të rënies së zjarrit në Rrethin e Vlorës. Rasti i parë ishte zjarri i rënë në fshatin Radhimë, ku u dogjën disa sipërfaqe me ullinj dhe si burim djegieje shërbeu rasti i ngjashëm, “vënia e zjarrit për djegien e mbeturinave”. Rasti i dytë ishte ai i djegies së një kapanoni të vjetër në Pashaliman.
#