E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon heshtja e KQZ-së për Gjilanin

Ndonëse rezultati i rivotimit të votave për Gjilanin ka kohë që ka përfunduar, duke nxjerr dukshëm fitues kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Qemail Mustafën, dhe në mbledhjet e kaluara ishte thënë se do të zgjidhet çështja e Gjilanit së shpejti, as e hëna nuk ka sjell asgjë të re.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Sekretariatit të KQZ’së vazhdojnë të thonë vetëm se konsultimet janë duke vazhduar.

Përpjekjet KosovaPressit për të kontaktuar me kreun e KQZ’së Nesrin Lushta të hënën kanë qenë të kota, ngase ajo nuk është lajmëruar në telefon. Ndërsa, zyrtarët tjerë të këtij institucioni të cilët janë kontaktuar kanë thënë se janë në pushim dhe se nuk kanë ide se kur do të mblidhet KQZ’ja për të marrë vendim për këtë çështje.

Xhemail Peçani, Kryeshef i Sekretariatit të KQZ’së, ka thënë për Kosovapress se janë duke vazhduar konsultat sa i përket çështjes së Gjilanit, mirëpo nuk ka saktësuar se kur do të përfundojnë këto konsulta.

“Ka konsulta të vazhdueshme, mirëpo nuk mund të them më shumë rreth asaj se kur do të dihet përfundimisht çështja e Gjilanit”, ka thënë Peçani.

Ndërkohë, as zëdhënësi i KQZ-së nuk bën të ditur se kur do të mblidhet KQZ-ja që ta shqyrtojë çështjen e Gjilanit dhe të marrë vendim.

Anëtari i KQZ’së nga radhët e PDK’së, Xhelil Pajaziti, ka thënë se derisa gjithçka është në rregull, derisa rezultatet e rivotimit janë bërë publike dhe dihet fituesi, atëherë është tërësisht e paarsyeshme që të ketë zvarritje të mëtejme të mbylljes së kësaj çështje.

“Besoj që kjo çështje duhet të zgjidhet brenda javës, ngase mendoj që ata anëtarë të KQZ’së duhet të mendojnë që mos ta zvarrisin pa nevojë dhe të jenë më konstruktivë”, ka thënë Pajaziti për Kosovapress.

Në mbledhjen e 11 janarit, KQZ nuk kishte arritur të aprovonte raportin për Gjilanin, ngase nuk është arritur numri 8 i votave siç është e paraparë. Ka qenë Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta ajo që ka abstenuar duke e bllokuar këtë proces, ndërkaq tre anëtarë të tjerë kanë qenë kundër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›