E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdanovic kërcënon me rikthim të barrikadave

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 12:00

I ashtuquajturi ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic, ka ftuar të mërkurën serbët e veriut në unitet, sepse siç u shpreh ai, po vijnë ditë të vështira dhe prova të mëdha për ta.

Sipas tij, Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj, andaj uniteti i popullatës serbe të Kosovës në këto momente është i nevojshëm si kurrë më parë.

Ai theksoi se disa nga përfaqësuesit e partive opozitare për arsye politike ditëve të fundit janë duke rrënuar këtë unitet të popullatës, dhe në momentet më të vështira po sulmojnë shtetin.

“Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë ‘sa më keq, aq më mirë’ dhe të cilët tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic.

Ai ka porositur se serbët do të mbrojnë interesat e tyre në Kosovë në mënyrë të qetë dhe të dinjitetshme, por nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit të barrikadave në rast se Prishtina tenton, siç tha ai dhunshëm, dërgimin e doganierëve në pikat kufitare.

Kërkojnë nga Kuvendi i Serbisë sqarim rreth marrëveshjeve

Delegatët e të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësive të komunave veriore të Kosovës, kanë mbajtur të martën mbrëma një takim të jashtëzakonshëm në veri të Mitrovicës, në të cilin kanë kërkuar nga Kuvendi i Serbisë që të deklarohet rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel për vulat e doganave dhe diplomave.

Në konkluzionet që janë miratuar nga ky takim, Bashkësia e komunave veriore të Kosovës nënvizon se pranimi i vulave të doganave dhe diplomave nga ana e Borko Stefanovicit është e barabartë me tradhti.

Kjo Bashkësi, deklaratën e fundit të ministrit për Kosovë, Goran Bogdanovic, në të cilën ai propozon që serbët t’i paguajnë doganë Qeverisë së Kosovës, dhe që nga një pjesë e këtyre të hyrave të përfitojnë komunat veriore, e konsideron absolutisht të papranueshme.

“Nga Kuvendi i Serbisë kërkohet që urgjentisht të deklarohet rreth marrëveshjes të arritur më 2 shtator në Bruksel, të cilën e ka nënshkruar Borko Stefanovic”, thuhet në konkluzione.

Po ashtu, Bashkësia e komunave veriore konsideron se shkëputja e institucioneve në Kosovë, të cilën gjë e pati kërkuar gjatë vizitës në Beograd edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, paraqet formën më të vrazhdë të cenimit të të drejtave të njeriut dhe të diskriminimit në përgjithësi.

Në konkluzione potencohet se institucionet paralele, siç i quan Merkel, datojnë me shekuj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›