Bohumil Hrabal: Shkrimtari që e zgjodhi vet vdekjen
Ai vdiq më aq e kaq, në moshën të cilën më në fund e ndali vetë, m’u aty ku i ngeci kokrra e qejfit, e që i bie të ketë qenë aq e kaq vjeç, duke qenë se ishte lindur më aq e kaq... Shkrimtari i lumtur, Hrabal, i dha fund vërtet vetmisë me aq shumë zhurmë të jetës, përmes një vendimi vetjak, ndonëse pranë fundit të hises së vet, cakut të kohës që i qe caktuar për të qëndruar në këtë jetë. E përshkoi pothuaj gjithë shekullin e shkuar, i shakulluar së prapthi nga një pushtim nën tjetrin, mes një froni rrëfimi dhe të ndenjurës tjetër. Dhe siç e pat nisur, me poezinë, ai mbet edhe në prozë liriku poet. Shkrues i përkorë prej ironie e grotesku që e zotëroi gjysmën e tij të shekullit çek, duke pasuar denjësisht një Kafkë dhe një Hashek. Një ditë ai u hodh nga lartësia me gjithë macet e tij, të cilave u kish rrëfyer gjithë ato jetë gjatë ditëve. Dhe kish mëtuar nga to plot e plot kuptime ditësh e jetësh vetmie, Hrabali vendosi atë ditë për t’i rënë më shkurt, kur i erdhi nxitimthi për të nxituar edhe më, në të ikur e sipër nga kjo botë. E nxiti edhe vetë veten. Dhe hapi dritaren. Poshtë, pesë kate më poshtë, qe toka... nga po ajo lartësi me të cilën ishte familjarizuar tek pragu i dritares së apartamentit të tij në katin e pestë, po i njëjti kat prej të cilit edhe në një subjekt libri, në mos gaboj, e pat përmendur atë rënie të lirë objekti njeri. Tani, veç një çast përpara, po e përfytyroja sesi ai u vërvit dhe u plandos i pajetë, ndërsa macet që i mbante pranë vetes edhe në spital, e rrethuan dhe zunë vajtojcën e mjaullimës feline me pikë të lotit për të. Teksa kujtoj pleksjen e rastit apo të domosdosdoshmërisë që jetët e kafshëve kanë me atë të njerëzve, më vijnë në mend edhe njerëz që afatin e ndenjes mes njerëzve guxuan të mos ia lënë rastësisë: Van Gogh, Pushkin, Heminguej, Dikinson, Dëlëz… Artisti i ngjan maces, sidomos vetmia e tij, thotë një tjetër çek, Kundera që e çmon Hrabalin, kushedi edhe për macet e këtij. Shkrimi i Hrabalit mbarti edhe erën e klimës si fryt i një shartimi të mbarë: Hashek – Kafka. Na ish një kohë e madhe letërsie, një kohë prej letërsie të madhe, kur dy shkrues vërsnikë qenë lindur më një vit dhe qyteti s’i njohu dot për së gjalli. As ata vetë nuk e hasën diku njëri-tjetrin, por i mbetën topografisë së qytetit të artit me frymët e gjenisë së tyre, Pragës së përjetësisë. Hasheku dhe Kafka ikën në të njëjtin vit, nën të njëjtën hare ironie të thekshme e të njëjtën lojë me çehren e vdekjes, të njëjtën mjaullimë edhe të kobshme edhe lojcake, si prej maceje. Nga thellësia e dhunës dhe orgjive të tij dy shekuj përpara, markezi De Sade pat këshilluar se “ka disa momente të rrezikshme, në të cilat fiziku përputhet në gabimet e moralit... Mënyra më e mirë për t’u familjarizuar me vdekjen është ta bashkëngjisësh atë me ndonjë ide libertine”.
Surrealizmi i vonët i Hrabalit, njëherësh naiv e nën shoqërizime poetike, i nderte mishrat e femrave nëpër kanapé dhe pastaj, siç i ka hije surrealizmit që i bën edhe shëmbëlltyrë qiellore, ia hidhte fajin kohës. I vuri emrin “mallkimi i shekullit erotik, gjithçka e hipererotizuar”, e prej këtej e përshkroi atë nën diçiturën SOS – Shoqëria e Objektivave Sociale. Ama, ky SOS është aty edhe si pragu i fundmë përtej të cilit nuk duhet shkuar në përzierjen e shkrimit me socialen, e shumta gjer te liturgjia e përtypjes së të tërës brenda tymit të mejhaneve e qebaptoreve. Nuk shtyhet tutje Hrabali, as ndër terrenet e pasosur të përshkrimit të joshjes së natyrës, as të shoqërisë si institucion. Pse ironia e tij, duke iu shtuar asaj të traditës së Hashekut, bëhet e vetëmjaftueshme të institucionalizojë vetë kulturën, nën gjuhëzimin popullor të ndoca neneve anekdotikë, që tok me Kafkën mbërrijnë prej Pragës të grisin edhe copa nga eteri qiellor. Madje, Hasheku nuk na la as përshkrimin që të mund ta imagjinojmë Shvejkun e vërtetë! Por veç një identikit hamendjeje, mbërritur mrekullisht gjer tek ne prej kaligramës së ironisë së vet. Nuk na la asnjë lloj pranie femërore, si për ta shkarkuar atë nga përgjegjësitë e thanatosit sarkastik të luftërave. Ende mbetemi nën atë përfytyrim të përfytyrimit, të cilin vizatuesi i portretit të tij na ka ofruar në etiketën e birrës që shkumëzon në paqe, si me thënë, me lehtësinë e papërballueshme të qenies së sarhoshit nën premtimin futurist të qerasjes së tjetrit me ndonjë kriko... me t’u çliruar mëhalla! Dhe gjithsesi, a nuk duket sikur Shvejku pa shtëpi e katandi, që nuk i dëfton fare rrënjët e veta, do dalë prej imazhit si imago cristi dhe papritur do ankohet... Këta të bëjnë të fisëm me pahir, or’zotni, s’të lënë as fytyrë, as në daç të bësh dashuri, as të vdesësh po deshe, prandaj, jemi që jemi, le ta rrëkëllejmë me fund këtë gjallmim jete që po derdhet! Apo, mbase Hasheku faktikisht ka harruar ta përshkruajë, ose s’e ka shkuar në mend që njerëzia do ishte kaq kurioz, përtej detajeve të mirësisë dhe uniformës, edhe për profilin e ushtarit të mbarë Shvejk! Lidhur këtu edhe me faktin, një ditë Hrabali, gjoja si i mërzitur nga keqkuptimi, tha “fakti është se unë nuk di të shkruaj, e mandej ata nuk dinë ku ta hedhin grepin dhe shpikin një mullar me gjëra”. Bohumil Hrabal po shkonte drejt të nëntëdhjetave. Po më vjen çudi si e ku ta ketë gjetur atë forcë Hrabali në këtë moshë të madhe për të marrë një vendim deri-diku madhor, si ai për të vrarë veten?! Faktikisht, e meqë nuk na lejohet të shkëputemi krejtësisht nga faktet, për sa jemi duke fjalosur për librin e tjetrit – ndonëse edhe ky bën fjalë për librat e të tjerëve pa i rënë në mend për faktet e jetës së autorëve – Hrabali edhe mund të mos e ketë vrarë hiç veten! Mundet e gjithë kjo të jetë këtu një ngatërresë me personazhin Hanta, përfundimin në vetëvrasje të të cilit e di, ashtu si dhe ju, me siguri. Por kjo nuk mendoj se ka ndonjë rëndësi të rëndësishme sa për të anuluar gjithë çka u munduam të themi gjer tani. Pse në mos biografia e jetës së autorit, për kushtëzimin e plotë të së cilës mbi veprën mbetem skeptik e kundërshtar, ama destini i jetës së personazhit mund të jetë vërtet uni i vërtetë i tij. Një gjë është e sigurt, prej këtu, unjur para shkrimit pa u ndihur fare prej nevojës faktike të verifikimit: macet e Hrabalit janë krejt të vërteta dhe kanë jetuar pranë “më të epërmes liri të mundshme të kësaj bote pa zot” – ironisë së madhe të letërsisë. (Një e tillë grafemë e vockël është edhe fjala zot e Hrabalit, të cilën ky na detyron ta shkruajmë me germë të vogël, siç ai e ka shkruar në origjinal, si dhe ta sqarojmë në kllapa në gjuhët e tjera, përndryshe rrezikojmë mosrespektimin e ortografisë). Ai, vdiq më aq e kaq, në moshën që i binte aq e kaq vjeç, duke qenë se kishte lindur më aq e kaq. Duke e vërvitur veten, si çdo gjë e rënë nga sipër e kërkon prehjen pingul përtokë. Iu dha vdekjes fiks me po atë vullnet që rasti lyp dhe e lëshoi në eter veten e vet. Pa arsye ose për aq e kaq arsye! Por këto janë vetëm numra, shifra që, sado statistikë dhe ekonomi fjalie, mbesin gjithsesi llogari prej llogaritari nën vërtetësi autentike të gjendjes civile dhe biografike, sa për të rrëzuar e zvarritur osh prej ndonjë oshënari burokracie përjetësinë e një shkrimtari. Aq më tepër si ai, që nuk i është mirënjohës duhmës së saj mbytëse prej kalbësie, anipse bash pesha e kësaj e shtyu drejt... përjetësisë.
#