E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, talebanët masakrojnë mjekët vullnetarë

6 amerikanë, 1 gjerman dhe 1 anglez ndodheshin me mision humanitar në Kabul

Dhjetë persona të një organizate humanitare të krishtere janë sulmuar dhe vrarë nga milicët talebanë radikalë islamikë në provincën afganoveriore të Badakhshanit. Në mes të viktimave ndodheshin një grua me nënshtetësi gjermane, gjashtë amerikanë e një britanik, si dhe dy përkthyesit afganë. Për nacionalitetin e viktimave pati fillimisht paqartësi. "Ne gjetëm trupat pa jetë të gjashtë amerikanëve dhe dy afganëve, një britaniku dhe një gjermani", tha të shtunën shefi i policisë së Badakhshanit, Aka Noor Kentus. Mes tyre, tri ishin gra. Të huajt punonin në spitalin okulistik të Kabulit, që administrohet nga OJQ-ja e krishterë “International Assistance Mission”. Grupi ndodhej në Nuristan me ftesë të një komuniteti lokal dhe ishte duke u kthyer në Kabul”. Ndërkaq, talebanët kanë marrë përsipër autorësinë e sulmeve. “Kemi vrarë nëntë misionarë të krishterë. Me vete kishin Bibla dhe ishin spiunë”. Komunikimi i tmerrshëm i një zëdhënësi të talebanëve hedh kështu dritë në gjetjen e dhjetë kufomave në provincën e Nouristan, në veri të Afganistanit. Sipas asaj që citon e përditshmja britanike “Daily Telegraph”, viktimat janë vënë në rresht, janë grabitur dhe më pas janë vrarë me kallashnikov. Sipas tyre, të krishterët ishin fajtorë, pasi mbanin Bibla me vete. “Kishin bibla në dorë, letra, sisteme Gprs, bënin harta për pozicionet luftuese të talebanëve”, vazhdoi më tej zëdhënësi i tyre, duke justifikuar kështu ekzekutimin e mjekëve vullnetarë. Nga ana tjetër, në një faqe interneti talebanët e përcaktojnë grupin e mjekëve si “nëntë agjentë të pushtimit të NATO-s”. “Spiunët armiq kishin hyrë fshehurazi në këtë zonë dhe muhaxhedinët i vranë menjëherë kur u përpoqën të arratiseshin”, shkruan zëdhënësi i rebelëve Zabihullah Mujahid. Me kalimin e orëve, pas dhënies së lajmit, u bënë të njohura edhe kombësitë e perëndimorëve të vrarë. Të tetë të huajt ishin të shoqëruar nga dy përkthyes afganë. Bëhej fjalë për një mjeke britanike, një kolege gjermane dhe gjashtë mjekë okulistë amerikanë, mes të cilëve edhe një grua tjetër. Viktima e nëntë është një prej dy përkthyesve, pasi tjetri shpëtoi duke thënë se ishte një mysliman i devotshëm. Grupi ishte formuar nga mjekë vullnetarë, shumica e të cilëve okulistë që ndodheshin në Afganistan për të ndihmuar spitalin Oftalmik Noor të Kabulit, i administruar nga OJQ-ja kristiane “International Assistance Mission” (IAM). Para deklaratës së talebanëve ishte shpërndarë lajmi i zbulimit makabër të trupave të masakruar nga plumbat prej policisë së Badakhshanit. Sipas rrëfimit të të vetmit të mbijetuar, mjekët ishin duke u spostuar nga Badakhshan në provincën e Nouristan për një ndërhyrje dhe asistencë mjekësore. “Ditën e fundit erdhi një grup burrash të armatosur që i vuri në rresht dhe i qëlloi për vdekje. Pastaj i grabitën dhe u larguan”. Pikërisht në momentin e fundit të ekzekutimit i vetmi që i shpëtoi vdekjes ishte një burrë që recitoi disa vargje të Kuranit. Sipas Noor Kintoz, kreu i policisë së Badakhshanit, banorët e kishin paralajmëruar grupin se zona mund të ishte e rrezikshme. “Ata iu përgjigjën se ishin mjekë dhe se gjithçka do të shkonte mirë, pasi ndodheshin aty thjesht për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, tregoi përkthyesi. Guvernatori i një tjetër province të afërt, Nuristan Jamaluddin Badr, tha se grupi kishte vizituar distrikte të ndryshme për të ndihmuar popullsinë vendase. Nga ana tjetër, “International Assistance Mission” pranoi se personat që u gjendën të pajetë ishin pjesë e organizatës së tyre. “Ishte një grup që po shkonte në një operacion me karakter oftalmologjik”. Po sipas komunikatës, mjekët kishin qenë në Nuristan, provincë afgane në kufij me Pakistanin, me ftesën e komuniteteve lokale. Pasi kishin përfunduar punën ishte duke u kthyer në Kabul. “Bëhet fjalë për një vrasje të pakuptimtë njerëzish, që nuk kanë bërë gjë tjetër veçse u kanë shërbyer të varfërve. Kjo tragjedi ka një impakt negativ mbi kapacitetin tonë për t’i shërbyer popullit afgan. Shpresojmë që ky episod të mos e ndalojë punën tonë, nga e cila përfitojnë çdo vit më shumë se 250 mijë afganë”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›