E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Vota juaj, detyrim për kauzën kombëtare

TIRANË- Pas një muaji fushate zgjedhore në gjithë vendin, nga Tropoja në Konispol, PDIU-ja mbylli dje fushatën zgjedhore në sheshin “Nënë Tereza” të mbushur me flamuj kuqezi, sikurse e nisi fushatën një muaj më parë. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, bëri thirrje që të votohet këtë herë për një parti të re, që ka mbështetës kudo në Shqipëri, dhe që ka në thelbin e vetë çështjen kombëtare. “...Siç e keni vënë re, sot dy partitë e mëdha po vazhdojnë të debatojnë nëse këto zgjedhje janë administrative apo politike. Ne si PDIU themi se janë edhe administrative dhe politike. Janë administrative, sepse të zgjedhurit në mandatin e tyre të ri do t’i përkushtohen fatit të bashkësive lokale, jetës së këtyre bashkësive. Janë politike, sepse prej këtyre zgjedhjeve varet integrimi i vendit, forcimi i kombit shqiptar në garën me kombet e tjerë të rajonit. Janë politike, sepse nga forcimi ynë si PDIU sot nga këto zgjedhje varet pesha jonë në institucionet kryesore nesër. Ndaj unë sot ju kërkoj votën, juve familjarëve, juve pensionistëve të Sarandës, juve të rinjve që do të votoni për herë të parë, kujtdo nga Jugu në Veri, që do të provojë një forcë të re: votoni PDIU-në!”, - tha Idrizi. Idrizi deklaroi se PDIU-ja bëri një fushatë moderne, ku foli vetëm për kombin. “Ne bëmë një fushatë moderne. Ne nuk shamë askënd. Ne folëm vetëm për kombin, për dinjitetin e shqiptarit, për shtimin e mirëqenies së tij nëpërmjet bashkimit ekonomik kombëtar. Ne nuk i ngjamë të tjerëve. Ne treguam qartësisht se PDIU-ja nuk është partia e një grupi popullsie, parti krahinore, por parti e kauzës kombëtare, parti e të gjithë shqiptarëve. Sigurisht ne jemi krenarë që çamët si viktimat e një gjenocidi të tmerrshëm, janë bërthama jonë më e fortë. Por ne jemi kudo: nga Tropoja në Sarandë, nga Pogradeci në Tiranë... “, tha Idrizi. Ndërsa, Presidenti i Nderit i PDIUsë, Tahir Muhedini, kërkoi bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth kësaj partie, si një kontribut për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe të çështjes çame.

“Me votën tuaj, ju forconi çështjen kombëtare. Me votën tuaj ju forconi çështjen çame. Ne, sot jemi më afër se kurrë ndërkombëtarizimit të vazhdueshëm juridik dhe politik të çështjes çame. Vota juaj, do të thotë certifikim i përpjekjeve tona. Vota juaj do të shtojë presionin pozitiv ndaj skenës politike shqiptare. Sot nuk ka vend për ndarje, por vetëm për bashkim”, - tha Muhedini. Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, deklaroi gjatë fjalës së tij se të gjithë shqiptarët do të bashkohen rreth PDIU-së. “ Sot ne i dërgojmë mesazh të gjithëve që askush nuk na nëpërkëmb më dhe mbi të gjitha i dërgojmë mesazh kujtdo që ora e të drejtës më në fund erdhi. Ky shesh na jep forcë e të gjithë kështu siç jemi do të shkojmë në votime, duke u parë në sy për të votuar zhvillimin e shqiptarinë, për të votuar PDIU, kandidatët e saj dhe kandidatët për këshillat bashkiak e komunal”, tha Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›