E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i Kuvendit, deputetët socialistë mbeten pa pasaporta

Kuvendi nuk i ka përfshirë ata në listën e deputetëve që duhet të pajisen me pasaportat e reja biometrike diplomatike

Vendimi për të qëndruar jashtë institucionit të Kuvendit po u kushton shtrenjtë deputetëve socialistë. Përveçse kanë mbetur pa rrogë, pa makina dhe pa një sërë favoresh të tjera që ua siguron ligji "Për statusin e deputetit", të zgjedhurit e majtë do të detyrohet që për të lëvizur jashtë shtetit të mbajnë radhë nëpër dyert e ambasadave për të marrë vizat e udhëtimit dhe ashtu si edhe gjithë qytetarët e thjeshtë do të duhet të shpresojnë nga procesi i liberalizimit, pasi kanë humbur të drejtën e trajtimit me pasaporta diplomatike. Kjo, pasi Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Kuvendin e Shqipërisë i ka përjashtuar ata nga lista që i ka dërguar Ministrisë së Jashtme për deputetët që duhet të pajisen me pasaporta diplomatike, të cilat tashmë janë edhe biometrike.

Aplikimi

Vetëm pak javë më parë, institucioni i Kuvendit shpalli në hyrje të tij një njoftim ku i kërkonte deputetëve të interesuar dokumentacionin dhe kërkesën konkrete për t'u pajisur me pasaportat e reja diplomatike biometrike. Por, duket se ky proces ka qenë i vlefshëm vetëm për të zgjedhurit e djathtë, të cilët edhe kanë bërë betimin në Kuvend. Nga Ministria e Jashtme konfirmohet se në listën me emrat e deputetëve që Kuvendi i ka nisur për t'u pajisur me një dokument të tillë, ishin përfshirë vetëm të zgjedhurit e djathtë, ndërsa nuk bënin pjesë homologët e tyre të majtët. Por, burime pranë institucionit ligjvënës bëjnë të ditur se lista e hartuar dhe dërguar Ministrisë së Jashtme ishte produkt i interesimit dhe kërkesave që kanë bërë vetë deputetët, ku natyrisht të zgjedhurit e majtë nuk kanë paraqitur asnjë interesim, pasi duke mos bërë betimin nuk përfitojnë nga bonuset që i jep statusi i deputetit. Një argumentim ky që duket se nuk është plotësisht i vërtetë, pasi siç mësohet nga burime pranë grupit parlamentar socialist ka pasur deputetë të PS-së, që i kanë paraqitur Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Kuvend kërkesën për t'u pajisur me pasaporta diplomatike, por duke u refuzuar prej saj me justifikimin se kërkesa i duhej drejtuar kryetares së Kuvendit. Një rast i tillë është edhe i deputetit socialist, Alfred Dalipi, i cili i gjendur këto kohë pa një pasaportë të tillë i ka nisur një kërkesë kësaj drejtorie, e cila i ka rekomanduar atij që t'i drejtohet edhe kryetares së Kuvendit. Për rrjedhojë, si Dalipi ashtu edhe të gjithë deputetët e rinj socialistë, kanë mbetur pa pasaporta diplomatike, duke e pasur të pamundur që t'i përgjigjen tani e tutje ftesave për pjesëmarrje në aktivitetet politike jashtë vendit. Ndërkohë që siç mësohet nga grupi parlamentar demokratik, të gjithë të deputetët e tij kanë marrë në dorë pasaportën e re diplomatike biometrike.

Të vjetrit

Probleme me pasaportat nuk kanë vetëm deputetët e rinj socialistë, por edhe ata që kanë qenë pjesë e Kuvendit edhe gjatë legjislaturës së shkuar. Shumë prej tyre kanë hasur, jo pak probleme në pikat e kalimit të kufirit, ku janë paralajmëruar se nuk mund të lëvizin më me pasaportat e tyre diplomatike, pasi ato janë shpallur të pavlefshme për shkak të mbarimit të mandatit të deputetit. Rasti më i afërt është ai i deputetit Sadri Abazi, i cili nuk është lejuar të lëvizë jashtë vendit, për shkak se në kompjuterët e punonjësve të policisë në kufi, pasaporta e tij rezultonte të ishte e pavlefshme, duke u sigluar me mandat të mbaruar. Ndërkohë që në bazë të ligjit "Për statusin e deputetit" Abazi dhe të gjithë deputetët e legjislaturës së shkuar duhet të përfitojnë këtë favor, jo vetëm për katër vitet që ushtrojnë funksionin e deputetit, por edhe tre vite më pas. Kështu, Neni 16 i këtij ligji përcakton se "Deputetit dhe bashkëshortes (bashkëshortit) të tij/saj u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij". Problemi i pasaportave është në vazhdën edhe të një sërë vështirësish të tjera, që u kanë nxjerrë deputetëve socialistë gjatë kësaj kohe, duke mos u njohur as statusin e ish-deputetit dhe as atë të deputetit aktual. Për të sqaruar këtë status, gati një muaj më parë, disa deputetë socialistë i nisën edhe një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, ku i kërkonin që të shpjegonte pozicionin e tyre.

Letra e socialistëve, Topalli: Deputetët të njohin Kushtetutën

Mazhoranca nuk ka ndërmend t'i njohë deputetëve socialistë asnjë nga favoret që ia garanton ligji "Për Statusin e deputetit". Letra që disa të zgjedhur socialistë i nisën gati një muaj më parë Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me sqarimin e statusit të tyre juridik ka mbetur pa përgjigje, ndërsa ata si rrjedhojë e kësaj paqartësie vijojnë të mos përfitojnë asnjë nga privilegjet, qoftë si ish-deputetë, ashtu edhe si deputetë aktualë. E pyetur dje lidhur me këtë kërkesë të deputetëve socialistë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se "deputetët e njohin mirë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit", duke lënë të kuptohet qartë se ata nuk mund të përfitojnë asnjë bonus që i jep fakti i të qenit ish apo deputet aktual. Kështu vendimi i grupit socialist për të mos hyrë në Kuvend, ka sjellë një sërë vështirësisë për përfaqësuesit e PS-së, të cilët prej gati 4 muajsh nuk marrin rrogën, ndërsa nuk kanë as imunitet. Gjithashtu, ata nuk përfitojnë edhe nga privilegjet e tjera që ju një statusi siç janë kreditë e zbutura, lehtësirat në dogana, dhe së fundi as pasaportat diplomatike.

Ligji "Për statusin e deputetit"

Neni 16

1. Deputetit dhe bashkëshortes (bashkëshortit) të tij/saj u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij.

2. Shërbimet konsullore për deputetët gjatë ushtrimit të mandatit të tyre kryhen nga stafi i Kuvendit.

3. Imuniteti diplomatik i deputetit garantohet nga shtetet e tjera sipas detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›