Bojkoti i PS , KQZ gjen formulën me studentë dhe mësues
Mazhoranca ka vendosur të zëvendësojë kundërshtarin politik në zgjedhjet vendore të 8 majit me mësues e studentë. Nuk kemi të bëjmë me një nismë për të vendosur kandidatë në zgjedhje, por për të emëruar, ndoshta në kundërshtim edhe me Kodin Zgjedhor, në vendet e lëna bosh në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta njerëz pa parti që do të rekrutohen nga kontingjenti i mësuesve, avokatëve apo dhe studentëve. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur dje vetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, kur ka theksuar se po mendohet një formulë e posaçme për të zhbllokuar ngërçin e krijuar nga bojkoti i opozitës, duke emëruar si anëtarë të KZAZ-ve kryesisht intelektualë nga zonat përkatëse.
Mbledhja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë dje diskutimin e pikës që kishte në rend të ditës dhe që kishte të bënte me konstituimin e KZAZ-ve, që deri më tani kanë mundur të krijojnë shumicën e duhur për të zhvilluar veprimtarinë e tyre për përgatitjen e zgjedhjeve. Shkak është bërë pikërisht nisma e administratës së KQZ-së për të hartuar një formulë të posaçme që t’i japë zgjidhje ngërçit të krijuar nga mosplotësimi i detyrimit ligjor nga ana e partive të majta, PS dhe PBDNJ, që kanë detyrimin të bëjnë propozimet e tyre. “Jemi të mendimit ta shtyjmë dhe pak për arsye të gjetjes së një formule sa më të paanshme. Jemi duke shqyrtuar mundësitë për të aktivizuar mësues apo avokatë apo studentë, por të shikojmë si do ta gjejmë formulën. Ndërsa për njoftim na duhet dhe pak kohë që ta gjejmë skemën”, - tha Ristani gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së. Një hap i tillë i ndërmarrë nga KQZ duket se bëhet i detyrueshëm për të sfumuar kështu vendimin e të majtëve për të mos u bërë pjesë e këtij procesi përgatitor për zgjedhjet e 8 Majit. Mosparaqitja e emrave për anëtarë KZAZ-sh nga ana e të majtëve bënte të pamundur ngritjen e këtyre komisioneve në 33 Zona të Administrimit të Zgjedhjeve, ku shumicën e kanë pikërisht dy partitë e opozitës.
Kodi
Por nisma e KQZ-së qartazi nuk ka bazë ligjore për të plotësuar KZAZ-të me mësues, avokatë e studentë. Kjo pasi neni 29 i Kodit Zgjedhor i jep të drejtë të ndërhyjë KQZ-së për të emëruar anëtarë të KZAZ-ve vetëm ditën e zgjedhjeve, dhe jo në një fazë të mëparshme. “Kur vendi i një anëtari ose sekretarit të KZAZ-së mbetet vakant në ditën e zgjedhjeve, propozimi në KQZ duhet të dorëzohet jo më vonë 3 orë nga çasti i krijimit të vakancës. Në rast se subjektet me të drejtë propozimi nuk propozojnë kandidaturë në KQZ, kjo e drejtë i kalon partive politike të të njëjtit grupim që vijnë pas tyre në Kuvend për nga numri i vendeve të fituara në Kuvend në zgjedhjet pararendëse. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje”, - thuhet në Kod duke përcaktuar kështu të drejtën e KQZ-së për të ndërhyrë. Por sipas vet kreut të KQZ-së interesi i qytetarëve për të votuar prevalon mbi interesat e partive dhe se Kodi Zgjedhor parashikon zgjidhje të tilla për situate jo absurde siç e konsideroi ai këtë të tanishmen. “Prevalon e drejta kushtetuese e zgjedhësve që të zgjidhen dhe të zgjedhin. Ju e dini që çdo organizëm dhe institucion i këtij shteti, dhe vetë Kushtetuta e parashikon respektimin së pari të saj dhe në bazë të saj të ligjit”, - u shpreh Ristani dje pas mbledhjes lidhur me këtë çështje.