E Shtunë, 31 Tetor 2026

Countryman: Puç? Jo! Hetimet i takojnë Prokurorisë

I pyetur nëse i besonte akuzat e kryeministrit Berisha mbi disa institucione sipas të cilët organizuan një puç ndaj shtetit, zyrtari amerikan është shprehur shkurt: “Jo!”

“Nuk është e pavend që parlamenti të ngrejë një komision hetimor. Kjo është normale në shumë demokraci. Por, vetëm prokurori i përgjithshëm është ai që përcakton ligjërisht nëse ka apo jo persona përgjegjës për dhunën e 21 janarit. Dhe, kjo punë duhet bërë pa ndërhyje politike ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Ne mbështesim institucionet e pavarura. Ne i mbështesim ato dhe me ndihmë të drejtpërdrejtë teknike. Kjo çështje nuk duhet politizuar nga askush. Siç jam shprehur, të dy palët duhet të evitojnë paragjykimin e rezultatit të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme”, ka deklaruar ai për Top-Channel.

Countryman thotë se zgjedhjet duhet të zhvillohen sipas parimeve kushtetuese. “Zgjedhjet e parakohshme përbëjnë një vendim të popullit dhe partive shqiptare, sipas përcaktimit kushtetues. Kjo mënyrë kushtetuese për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, mesa di unë, ende nuk është tentuar”, ka shtuar ai.

I pyetur mbi deklaratat e ambasadorit amerikan në Tiranë, Countryman thotë se Shqipëria është një demokraci funksionale. “Shqipëria është një demokraci funksionale. Ambasadori ka dhënë një shembull, por nuk është kriteri i vetëm përcaktues për demokracinë funksionuese. Shqipëria është vend demokratik. Ajo nuk do të ishte në NATO, në të kundërt. Krahasimi i Shqipërisë me Egjiptin e Tunizinë është një fyerje për popullin shqiptar dhe progresin e bërë prej tyre në 20 vitet e fundit. Nuk është një vend i përkryer, por, është demokraci”, përfundon ai./Start/

                                                                                             2011-02-08 20:33
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›