E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli akuza Topit: Marrëveshje me Ramën më 21 janar

Sipas Topallit, “kreu i shtetit nuk ushtroi detyrën e tij kushtetuese”, ndërsa shtoi se “mes tij dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, kishte një marrëveshje të qartë për një mandat të dytë të tij në krye të Presidencës”.

“Viktimat e asaj dite nuk u panë dhe nuk u ndjenë vetëm nga një njeri: nga kryetari i shtetit shqiptar, Shkëlqesia e Tij, Bamir Topi, i cili, në komunikatën e tij të parë më 21 janar nuk e përdor askund fjalën ‘dhun뒔, pohoi kryeparlamentarja.

“Nuk e kishte parë kreu i shtetit për pesë orë rresht dhunën mbi Kryeministrinë?”, vijoi ajo. “Nuk e kishte dëgjuar se si shteti po sulmohej në themelin e tij? Pse nuk i kishte parë? Kush ia kishte mbyllur sytë? Kush ia kishte lidhur gjuhën dhe mbyllur veshët? Cilat janë arsyet që kreu i shtetit, në atë gjëmë të madhe, harroi të përdorë fjalën ‘dhunë’, harroi të ngushëllojë për viktimat, harroi të vlerësojë djemtë e policisë dhe Gardës që mbrojtën Kushtetutën dhe ligjin? Duket qartazi një marrëveshje me z. Edi Rama, ai qeverinë me dhunë, kurse Shkëlqesia e tij mandatin e dytë të Presidentit”.

Duke u ndalur tek qëndrimi i Prokurores së Përgjithshme ndaj 21 janarit, Topalli konsideroi se “ashtu si Presidenti, për znj. Ina Rama ajo ishte ‘ngjarja në bulevard’, jo sulmi barbar kundër Kryeministrisë, ndërkohë që pas pesë orë rrethimi, kryeministri Berisha i dha besim të plotë kryeprokurores për të bërë një hetim mbi viktimat dhe rrethanat e sulmit për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues”.

Topalli vijoi më tej: “Për herë të parë në gjithë historinë e akuzës shqiptare ngjarjet që pasuan treguan se kryeprokurorja përjashtoi policinë kriminale, që është një shtyllë e rëndësishme hetimi”.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se më 21 janar u thye rendi kushtetues dhe u sulmuan themelet e shtetit. “Sulmi i kryer ndaj institucionit të Kryeministrisë ishte një përpjekje për të përmbysur qeverinë legjitime, ndërsa dhuna ishte e nxitur nga Rama, Ruçi e Gjinushi”, tha ajo.

                                                                                             2011-02-08 19:41
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›