E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratat e konsullit grek, debate për thirrjen e Haxhinastos

SHKRUAN: Fejzi Braushi 09-02-2011 10:29

Thirrja e para disa ditëve që konsulli grek i Korçës, Theodhorus Ikonomus, bëri për ndryshim masiv të kombësisë, ndërsa u kërkoi minoritarëve të mos tremben dhe të regjistrohen si grekë, ka tensionuar situatën brenda radhëve të mazhorancës. Tension që është evidentuar dje më së miri në Komisionin e Politikës së Jashtme, ku është debatuar gjatë në lidhje me përmbajtjen e këtyre thirrjeve si dhe për rolin dhe reagimin që ka kryer Ministria jonë e Jashtme kundër kësaj thirrje. Ka qenë ish-zv/kryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ai që ka ngritur këtë çështje gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Jashtëm, teksa ka kërkuar që në mënyrë zyrtare Kuvendi t’i kërkojë informacion Ministrisë së Jashtme lidhur me reagimin që ka patur për këtë ngjarje. Madje, ai ka shkuar më tej kur ka kërkuar që Komisioni të thërrasë në seancë dëgjimore ministrin e ashtëm për të informuar mbi hapat e marrë dhe kjo, sipas tij, në funksion të konkretizimit të një qëndrimi zyrtar që Kuvendi i Shqipërisë duhet të shprehet për këtë sjellje të diplomatit grek. Por kërkesa e Oketës, ndërsa ka gjetur mbështetjen e thuajse e të gjithë anëtarëve të komisionit, përfshi këtu dhe atë të deputetit socialist Qemal Minxhozi (i cili kishte thyer vendimin e bojkotit të partisë së vet), ka sjellë reagimin kundërshtues të kryetarit Fatos Beja, i cili, për të qenë i kujdesshëm që çështje të tilla të mos cenojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona, ka këmbëngulur që informacioni të vijë nëpërmjet korrespondencës shkresore. Por ky qëndrim ka bërë që Oketa t’i propozojë komisionit që kërkesën e vet ta hedhë në votim, çka ka detyruar kryetarin e Komisionit që të bindet dhe së fundi të pranojë që të thërrasë ministrin e Jashtëm sot në një seancë dëgjimore. Më poshtë po paraqesim debatet e zhvilluara dje në Komisionin e Jashtëm.

Debati

Gazmend Oketa: Lidhur me deklaratën e konsullit grek, të bërë para dy ditësh në Korçë, i cili i bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëhen më trima dhe të shkruajnë ato dokumente që nuk janë shqiptarë, por janë grek. Unë gjykoj që Komisioni i Politikës së Jashtme duhet t’i bëjë kërkesë urgjente Ministrisë së Jashtme, e cila të na informojë lidhur me reagimin zyrtar që ka bërë ministria dhe qeveria shqiptare lidhur me këtë deklaratë. Nëse komisioni ka mjetet ligjore, mund dhe të thërrasë konsullin grek, i cili brenda mundësive të na trimërojë dhe ne pak dhe gjykojë që komisioni duhet të dalë në rast se biem të gjithë dakord me një deklaratë dhe të shprehemi në emër të Kuvendit qëndrimin tonë për këtë çështje.

Qemal Minxhozi: Dhe unë kam të njëjtin mendim me zotin Oketa. Unë kam qenë vetë ambasador dhe e di sesi funksionon skema e diplomacisë. Një konsull nuk mund të flasë në emër të vet, sidomos kur ka të bëjë me çështje politike dhe sidomos kur ka të bëjë me çështje të prekshme bilaterale. Mendoj që është shumë e vonuar dhe do mendoja që t’i sugjeronim Ministrisë së Jashtme që të dalë me patjetër me një deklaratë. Gjëja e parë që duhet të bënte duhet të thërriste ambasadorin për t’i shprehur këtë shqetësim. Një memecëri për këtë çështje kaq të rëndësishme, është e pashpjegueshme. Unë mendoj që qoftë edhe Parlamenti, nuk e di se ç’mund të bëjë, një rezolutë apo diçka të tillë, por hapin kryesor duhet ta marrë Ministria e Jashtme, e cila deri më tani ka qenë e mefshët.

Oketa: Nuk mund të bëjmë konstatime pa u informuar. Prandaj kërkoj që të informohemi.

Minxhozi: Unë po flisja në një plan tjetër, që ne të jemi të informuar, prandaj Ministria e Jashtme, pra ministri të vinte në këtë komision dhe për hir të opinionit publik të na informojë se çfarë bën shteti. Duhet nxitur që, nëse kjo punë nuk është bërë, të bëhet sa më parë. Është një çështje tepër sensitive, si për të majtët dhe të djathtët, dhe s’mund të na kalojë kështu anash. Ishte një deklaratë jo thjesht në një gazetë apo në diçka tjetër të këtij lloji, por në një eveniment zyrtar të përvjetorit të OMONIA-s. Prandaj ne si komision duhet të dalim me një qëndrim dhe me urgjencë.

Fatbardh Kadilli: Unë them që para se të dalim me një deklaratë të marrim një informacion të plotë. Pra, që të mos avancojmë me opinionet, por të marrim vesh çfarë është bërë.

Minxhozi: Në qoftë se unë do isha në mazhorancë, unë s’do ngurroja që t’i thosha se çfarë bën ti si ministër i Jashtëm dhe ti si Ministri e Jashtme.

Oketa: Unë pikërisht këtë kërkova, ndaj a ka mundësi që ta thërrasim që nesër?

Fatos Beja: Unë shikoj që ka një konsensus të përgjithshëm, ndaj të bëjmë një kërkesë ta firmosim dhe t’ia nisim Ministrisë së Jashtme, të na informojë një herë se cilat kanë qenë reagimet zyrtare të ministrisë. Si fazë të parë besoj se është mjaft.

Oketa: Le të vijë ministri nesër...

Këshilltari: Me shkresa humbet koha, ndaj të thërrasim ministrin.

Beja: Si humbet koha, e kemi me rregullore që në fillim i kërkon informacion të nevojshëm dhe pastaj ne gjykojmë nëse ka bërë mirë apo ka bërë mjaft.

Oketa: Le të vij të na e thotë me gojë.

Beja: Ne na duhet në radhë të parë a është vënë në lëvizje apo jo, por vetë kërkesa jonë i vë në lëvizje.

Oketa: Zoti Beja, ne jemi Komisioni i Politikës së Jashtme dhe ne do bëjmë punën tonë. Ai po e bëri e ka për detyrë ta bëjë, nëse nuk e ka bërë ne ta thërrasim dhe ta marrim vesh.

Beja: Ne me rregullore kemi të drejtë t’i bëjmë pyetje, të marrim informacion, ta thërrasim. Por logjika e do që të marrësh informacion së pari. Nëse ne bëjmë zhurmë kot dhe nëse ai ka bërë veprime...

Oketa: Ah, zoti Beja, nëse ju e konsideroni zhurmë kot këtë pastaj...

Beja: Mua më vjen keq që ti po e interpreton se çfarë thash unë...

Oketa: Ne po kërkojmë ministrin e Jashtëm, çfarë ka të keqe këtu?

Minxhozi: Ne e kemi parë dhe dëgjuar, o Fatos, se çfarë ka thënë dhe nuk po bëjmë zhurmë kot.

Beja: Ju kërkuat në radhë të parë të dimë se çfarë ka bërë...

Oketa: Po le të vijë të na e thotë...

Beja: Absolutisht, jam në një mëndje me ju. Që ne duhet të informohemi njëherë, nëse nuk jemi të informuar, ne s’mund të reagojmë për më tepër.

Minxhozi: Ne e dënojmë atë, se çfarë ka thënë ai ne s’kemi dyshim, se e kemi parë.

Kadilli: Të marrim një informacion sa më shpejt të jetë e mundur dhe pastaj të deklarohemi.

Florian Mima: Nëse ministria ka bërë reagim dhe ne nuk dimë gjë, prapë faji është i saj, pasi një kopje të shkresës duhet të na i sillte neve. Prandaj të gjendet një nga rrugët e duhura dhe më të shpejta.

Beja: Atëherë mënyra më e shpejtë është që ne me shkrim t’ia dërgojmë Ministrisë së Jashtme. Edhe sikur të kërkojmë të vijë ministri dhe sikur të kërkosh informacionin brenda ditës, ikën sot, pra nuk fiton në drejtim të shpejtësisë. Së dyti, asnjë garanci s’ka se vjen më shpejt ministri sesa letra, sepse ministri nuk mund të jetë fare në Shqipëri. Kështu që njëra nuk përjashton tjetrën. Por nuk mund të neglizhojmë mënyrën zyrtare të funksionimit të kërkesës. Në rastin konkret, kemi një shqetësim të përbashkët.

Oketa: A mund të bëj një vërejtje? Ju jeni kryetari ynë, pra i deputetëve...

Beja: Çfarë propozon ti, që ta marr unë në telefon, do i çoj shkresë zyrtare.

Oketa: Jo, jo, se po duket sikur po i qajmë hallin shumë ministrisë, le të qajmë hallet tona. Unë e bëra propozim që ne të dalim të gjithë si komision se na nderon të gjithë dhe të mos bëjmë deklaratat tona. Dalim me një qëndrim zyrtar dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Ndaj unë propozoj që nesër ne të caktojmë një mbledhje komisioni me këtë rend dite, dikush nga Ministria e Jashtme të vijë të na japë përgjigje për këtë punë. Nuk po them ministri, por le të themi sekretari i përgjithshëm apo zëvendësministri, se janë tre zëvendësministra, mesa di unë.

Beja: Unë kam propozimin tjetër, që të kërkojmë informacionin dhe pastaj të vendosim për ministrin. Nuk po them që s’duhet, por të marrim një herë informacion. Shprehuni dhe unë veproj.

Oketa: A mund ta votojmë këtë propozimin tim, a do bëjmë nesër mbledhje apo jo? Më fal që po shprehem unë, por duhet ta kërkojë kryetari këtë.

Beja: Ja, kërkova unë, por ju s’më dëgjoni. Shprehuni deputetët e tjerë, ka dy propozime.

Kadilli: Bashkë me informacionin të na vijë dhe një njëri nga ministria që të na shpjegojë.

Minxhozi: Ministria e Jashtme, puna e parë që duhet të bëjë është të distancohet nga këto. Duhet të dalë se është diçka shumë e madhe dhe nuk është thjesht një lajthitje. Kjo punë është në vazhdimësi, se ec me lapidaret, ec për këtë gjë dhe ne për hir të moscenimit të marrëdhënieve jemi frenuar. Është koha tani dhe një moment shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me çështjen kombëtare. Hapat e ministrisë edhe sikur të kenë qenë konkretë janë shumë e pakët, ajo duhet të kishte dalë me një deklaratë për shtyp, sepse po të kishte ndodhur nga konsulli ynë do ishte tundur e gjithë Greqia. Ne rrimë tani dhe themi se prit se mos na prishet kjo e mos na prishet ajo. Ai njeri ka vepruar kundër ligjit dhe kundër çdo lloj etike. Nuk mund të dalë një bythë konsulli, më falni për shprehjen, dhe të na bëjë ato deklarata vetë. Nga ana tjetër nuk është aspak luks që ministri të vijë, sepse kjo do t’i bëjë mirë dhe Shqipërisë dhe mazhorancës dhe të gjithëve ne. Pra, ka një avashllëk të paprecedent.

Beja: Unë bie dakord që ta thërrasim nesër (sot), por s’mund t’ju them orën se kjo do vendoset.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›