E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i administratës së 4 gjykatave, KLGJ zhvillon sot mbledhje urgjente

Ngërçi për pagat e magjistratëve vijon të mbajë të pezulluar një pjesë të punës në gjykata.

Sot në orën 10:00, gjyqtarët do të zhvillojnë një mbledhje të jashtëzakonshme në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku pritet të diskutohet situata e krijuar pas mosmarrjes së pagave të muajit gusht.

Ndërkohë, administratat e disa gjykatave kanë vijuar bojkotin e punës.

Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe Penale të Gjykatës së Tiranës nuk po ofrojnë shërbime deri në marrjen e pagave.

E njëjta situatë është krijuar edhe në gjykatat e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës, ku administrata ka ndaluar punën.

Ndërsa Apeli e ka ndërprerë bojkotin, pasi ligji nuk i lejon punonjësit e tij të zhvillojnë protesta.

Në qendër të situatës është përplasja për mënyrën e përcaktimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

KLGJ dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë marrë vendime për përcaktimin e pagave, pasi Kuvendi nuk ka dhënë ende zgjidhje për ripërllogaritjen e tyre pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Pikërisht kjo situatë ka sjellë bllokimin e pagave të gushtit dhe përplasjen mes institucioneve, ndërsa sot gjyqtarët pritet të diskutojnë hapat e mëtejshëm në mbledhjen e jashtëzakonshme në KLGJ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›