Bojkoti me kushte çorodit deputetët e Partisë Socialiste
Pas dy orë debatesh të ashpra, grupi parlamentar i PS-së ka pranuar pa kushte propozimin e Ramës për të bojkotuar seancën e parë parlamentare që pritet të mblidhet ditën e hënë në orën 18:00. Sipas Ramës, ky bojkot i grupit të PS-së vjen si shprehje e qëndrimit të PS-së, e cila pretendon se zgjedhjet e 28 qershorit janë deformuar dhe institucionet e dala prej saj janë ilegjitime. Në diskutimin e djeshëm, socialistët kanë vënë disa kushte ndaj mazhorancës, plotësimi i të cilave do të bëjë të mundur pjesëmarrjen e deputetëve të PS-së në Kuvend. Shtatë janë kushtet që PS-ja i ka vënë Kuvendit dhe qeverisë së re për t‘i realizuar, me qëllim kthimin e tyre në sallën e Parlamentit. Prej tyre, tre janë më kryesoret, ku PS-ja është e vendosur për të mos toleruar, ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, rinumërimi në tre qarqe i kutive të votimit si dhe kthimi i militantëve të PS-së në punë. Pavarësisht kushteve të vëna nga PS-ja dhe marrjes së këtij vendimi me shumicë votash, deputetët e grupit parlamentar socialist ende nuk e kanë të qartë përfundimisht një prej pikave më kryesore, nëse do të marrin apo jo pjesë në ditën e parë të hapjes së punimeve të Kuvendit të ri, ku dhe do të kryhet verifikimi i mandateve. Pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit të kontaktuar ngrenë supet para kësaj pyetjeje, se çdo të ndodhë me ta pasi pas mbarimit të mbledhjes duket se kanë kuptuar qartë se votimi është bërë sa për të kënaqur kryetarin, por jo se ata vetë janë sqaruar. Ajo çfarë i ngatërron më shumë deputetët e PS-së është deklarata e kryetarit Rama, i cili ka theksuar se për bojkotin e Kuvendit do të ngrihet një grup pune, i cili do të merret me modalitet. Por deputetët kundërshtarë të idesë së bojkotit të Kuvendit si Harasani, Blushi, Malaj e të tjerë kanë kërkuar të dinë se kush do të jetë në përbërje të këtij grupi, brenda sa kohe do të veprojë ai dhe çfarë modalitetesh do të kërkojë PS-ja që të realizohen konkretisht. Këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje konkrete, pasi kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, ka mbyllur mbledhjen. Mbledhja është mbyllur pa sqaruar deputetët, të cilëve nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të presin ditën e hënë për të mësuar më konkretisht se çdo të bëhet me ta, do të shkojnë apo jo në Parlament. Pritja e tyre varet nga vendimi që do të marrë Rama këto 24 orë, pasi disa nga deputetët e PS-së pranë kryetarit Rama i kanë kërkuar atij që grupi i PS-së të marrë pjesë të pakën në seancën e verifikimit të mandateve për t‘u njohur me vlefshmërinë e tyre dhe më pas të diskutohen qëndrimet politike. Ata ia kanë argumentuar këtë kërkesë kryetarit Rama me faktin se, nëse nuk verifikohet dhe nuk merret mandati i deputetit, ata nuk kanë asnjë forcë ligjore për të vepruar më tej pasi nuk njihen si deputetë. Por se cili do të jetë hapi i mëtejshëm, kjo mbetet për të pritur deri ditën e hënë. Kjo fundjavë për deputetët socialistë do të shoqërohet me një dilemë të gjatë nëse do jenë pjesë e Kuvendit apo do mbeten jashtë tij. Ndërkohë që deputetët kundërshtarë i kanë kërkuar Ramës që të vendosë raporte të kushtëzuara me Kuvendin, por brenda sallës së Kuvendit, pasi hetimi parlamentar për zgjedhjet, sipas tyre, nuk mund të kryhet jashtë dyerve të Parlamentit. Kundërshtarët e Ramës ndajnë të njëjtin mendim kur bëhet fjalë për të vlerësuar zgjedhjet e 28 qershorit, por ndahen me kryetarin dhe shumicën që e mbështet atë, kur bëhet fjalë për të bojkotuar Kuvendin.