Vëzhguesit vendorë: Zgjedhjet ishin një arritje
Dy ditë para hapjes së sezonit të i parlamentar dhe betimit të deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, koalicioni i vëzhguesve vendorë, një bashkim vullnetar i gjashtë organizatave të shoqërisë civile, bëri publik raportin e tij përfundimtar për zgjedhjet. Sipas raportit, me gjithë ngarkesën politike përgatitja e infrastrukturës zgjedhore dhe legjislative vlerësohen si argumente pozitivë për plotësimin e standardeve. Reforma zgjedhore, me gjithë kundërshtimet e një pjese të partive politike, vlerësohet se u realizua nëpërmjet një konsensusi politik të konsiderueshëm. Fushata sipas raportit synoi të motivojë zgjedhësit për të votuar. Tonet negative, edhe kur u përdorën, nuk arritën të mbizotërojnë, thotë raporti. Koalicioni i vëzhguesve shqiptarë vë re se, në disa raste, për qëllime të fushatës u kapërcye ligji. Sipas raportit në përurime u angazhuan edhe në formë të detyruar punonjës të institucioneve publike, të organeve të pushtetit vendor, nxënës e mësues, mjete dhe infrastruktura të institucioneve publike. Raporti thotë se gjatë procesit të votimit, rastet kur zgjedhësit nuk mund të votonin, sepse nuk e kishin emrin në listë, ose rastet e votimit të përsëritur të një zgjedhësi të vetëm, nuk u shfaqën në masë shqetësuese. Por, nga ana tjetër, votimi në grup dhe votimi në familje vazhdon të mbetet në nivele të konsiderueshme, veçanërisht në zonat rurale. Raporti vlerëson se KQZ u tregua profesional dhe transparent. Aktivitetin e këtij institucioni, vëzhguesit vendorë e cilësojnë në përgjithësi si një arritje. Raporti vë re vonesa të krijimin e KZAZ-ve dhe sidomos të komisioneve të qendrave të votimit dhe grupeve të numërimit të votave. Raporti vlerëson numërimin e votave si normal dhe në përputhje me ligjin. Raporti vlerëson edhe Kolegjin Zgjedhor si një institucion që mundi të gjykojë i pavarur nga presioni i politikës. Gjatë prezantimit të raportit, Kristaq Kume tha se "ne i vlerësojmë këto zgjedhje si një kontribut dhe arritje pozitive në procesin kompleks të zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Me gjithë problematikën që i shoqëroi, e cila në jo pak raste ishte produkt i lojës politike midis partive dhe subjekteve zgjedhore, këto zgjedhje në tërësinë e tyre prodhuan arritje pozitive në rrugën për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike, si edhe me legjislacionin shqiptar". Raporti i gjykon të parakohshme ndryshimet e sistemit zgjedhor. Por nëse klasa politike vendos ta trajtojë këtë problem, koalicioni i vëzhguesve vendorë rekomandon dy opsione: ose një mënyrë që votat të përkthehen më mirë në mandate, çka mund të ishte një korreksion kombëtar i sistemit aktual, ose kalimin nga sistemi aktual proporcional rajonal, në një sistem proporcional kombëtar.