Bojkoti opozitar Bello: “Më 2010 kthehem në Kuvend”
Autori i Lajmit: Redaksia2010 pritet të përçajë deputetët socialistë. Kjo është paralajmëruar nga deputeti i saj, Marko Bello, i cili pohoi se me fillimin e Vitit të Ri ai do të kthehet në Parlament duke thyer kështu vendimin e Grupit Parlamentar socialist. Një hap i tillë është deklaruar pak ditë më parë dhe nga një tjetër deputet, pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Kastriot Islami. Ndërkohë që deputeti Blendi Klosi ka hedhur idenë për kthimin në Kuvend të të gjithë socialistëve, por kjo vetëm për një moment të vetëm sa ata të bëjnë betimin në mënyrë që të mos djegin mandatet e tyre.
Deklarata
Gjatë një interviste televizive, Bello ka pohuar se do të kthehet në Parlament në fillim të vitit të ri 2010. Bello e cilësoi aksionin politik të opozitës, një histeri kolektive që dëmton interesat e vendit. “Nuk ka një dokument zyrtar, përfshi dhe Kushtetutën e vendit, që është ligji mbi ligjet, të parashikojë bojkotin. Bojkoti është një formë e përkohshme, e cila synon një qëllim të caktuar. Është përdorur edhe më përpara nga PS në kushte krejt të tjera, në kushte të justifikuara. Është përdorur edhe nga PD në kushte të ekzagjeruara. Gjithsesi, ka ardhur koha ti jepet fund bojkotit. Nuk është rruga që na çon atje ku duam të arrijmë. Bojkoti, për fat të keq, të jep për momentin një lloj mbështetje të militantëve, elektrizon përkohësisht një pjesë të qytetarëve. Sot dëgjova zëra në PS se është baza ajo që kërkon që ne të ngelemi jashtë Parlamentit, por unë do të pyesja: Po roli i elitave dhe i udhëheqjes ku është? Nëse ne duam të themi se kështu na kërkohet dhe ne nuk jemi në gjendje ti sqarojmë, tu shpjegojmë njerëzve pse bojkoti është i dëmshëm, pa diskutim që njerëzit do të inkurajonin bojkotin. Është e lehtë të bësh të zemëruarin, është e lehtë të bësh qejfmbeturin dhe të braktisësh institucionet, por nuk fiton asgjë. Atëherë duhet kthyer në Parlament. Unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk kam ndërmend të djeg mandatin të cilin ma kanë dhënë qytetarët shqiptarë”, - tha Bello. Pyetjes nëse do të kthehet në Kuvend në fillim të 2010, i zgjedhuri i PS për deputet iu përgjigj: “Pa diskutim. Shpresoj të jem së bashku me kolegët e mi",- ndërsa shtoi: "Nuk dua të ndodhë ajo që e ka parashikuar shumë bukur Hasheku tek libri i tij i famshëm “Ushtari i mirë Shvejk”, i cili thoshte dikur: Mirë që u çmendën të gjithë gjeneralët e perandorisë, por pse u çmendën njëkohësisht? Nuk dua të ndodhë të kemi një histeri kolektive. Shpresoj që PS të gjejë arsyen për tu kthyer në Parlament. Unë personalisht, do të kthehem në Parlament”, - tha ai.
Klosi: “Në Kuvend, para 7 marsit”
Sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi, ka pohuar pak ditë më parë se Grupi Parlamentar Socialist do të futet në Kuvend, brenda afatit kushtetues të skadimit të mandatit, për të bërë të mundur mosdjegien e mandateve. "Ky është një qëndrim që e kemi thënë edhe më përpara. Për të mos djegur mandatin që na ka dhënë elektorati ne do të hyjmë në Kuvend, para afatit kushtetues, domethënë para datës 7 mars të vitit 2010”, - ka deklaruar Klosi. Duke folur për mënyrën që do të ndjekë opozita, për të mos djegur mandatet e fituara në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, deputeti socialist ka theksuar se hyrja në Parlament do të jetë vetëm për procesin e betimit dhe se gjithçka do të vijojë sipas qëndrimit zyrtar.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009