E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, 80 mijë dosje të falsifikuara

Autori i Lajmit: E.DÇdo vit skema e pensioneve është përfshirë nga skandali i përfitimeve në mënyrë të padrejtë nga një numër i madh personash. Sipas të dhënave çdo vit janë zbuluar mbi 500 dosje pensionesh false dhe një dëm madhor financiar që shkon në miliona lekë. Prej vitesh janë hedhur hije të forta dyshimesh mbi skemën e pensioneve dhe të numrit të atyre personave që mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, arrijnë që të përfitojnë pension të padrejtë. Statistikat flasin për rreth 80 mijë pensionistë të rremë. Edhe pse shifra mbetet ende jo e provuar zyrtarisht, numri i atyre që po bëhen publikë si përfitues të rremë në këtë skemë po rritet dita ditës. Aktualisht është shumë e lehtë për të plotësuar dokumente për pension. Zyra komunash japin dokumente të rreme, ose të pabazuara në dokumentacion, për njerëz që kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet bujqësore gjatë kohës së komunizmit. E njëjta gjë ndodh edhe me fabrikat e falimentuara.
Falsifikimet
Përsa i përket falsifikimeve figurojnë persona të njëjtë, por me emra të ndryshëm, të cilët përfitojnë pensione në dy arka paguese të ndryshme. Pra, rezulton e njëjta fotografi në dy certifikata, por me gjeneralitete të ndryshme. Sipas verifikimeve që specialistët kanë bërë pranë zyrave të gjendjeve civile, ku rezulton e lëshuar ajo certifikatë, figuron se njëri emër, pra njeri person është i rremë dhe pagesa merret në mënyrë abuzive. Si masë e parë, është pezulluar dhënia e këtyre pensioneve, si dhe janë larguar nga puna punonjësit që rezultojnë të jenë përfshirë në lidhjen dhe dhënien e këtyre pensioneve. Në kuadër të pastrimit të skemës, në dy vitet e fundit janë pushuar nga puna 30 punonjës, 14 prej tyre kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me pensionet, ndërsa 16 të tjerët janë larguar për lëshime vërtetimesh false.
Dosjet për 2009
Në nëntor të vitit 2009 u bënë publike rreth 800 dosje të falsifikuara për pension. Rreth 207 prej tyre u kategorizuan për verifikimin e dokumentacionit, që rezultonte me mangësi. Ndërkohë në prokurorinë ne Tiranës ndodhen nën hetim rreth 150 persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë falsifikuar dokumentacionin për marrjen e pensionit. Ndërsa në minierën e Kukësit po për vitin 2009 dyshohet se 150 persona kanë përfituar pension të padrejtë. Por jashtë hetimeve nuk kanë mbetur as punonjësit e drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore ku janë dorëzuar këto dokumentacione dhe më pas janë dhënë dhe pensionet e paligjshme.
Dosjet e vitit 2008
Gjatë vitit 2008 u bënë publike 218 dosjet e përfitimeve të veçanta nga ish-punonjësit e nëntokës me vlerë 136 071 947 lekë, si dhe të 109 rasteve të përfitimeve afatgjata me vlerë 47 829 696 lekë, të cilave iu bënë kallëzim penal. Gjithashtu në gjashtëmujorin e dytë të vitin 2008 u bënë publike 418 raste të tjera, me një dëm ekonomik që kap vlerën në total 314 528 280 lekë dhe me dëm mesatar mujor 2 526 618 lekë. Të gjitha këto raste, rezultojnë si pensione të lidhur me certifikata false. Vetë drejtuesit e ISSH-së kanë pranuar publikisht shifrat abuzive duke theksuar se është shumë e lehtë për të plotësuar dokumente për pension. Zyra komunash japin dokumente të rreme, ose të pabazuara në dokumentacion, për njerëz që kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet bujqësore gjatë kohës së komunizmit. E njëjta gjë ndodh edhe me fabrikat e falimentuara.
Dosjet e vitit 2007
Rreth 4,8 milionë lekë në muaj u llogarit dëmi i shkaktuar në skemën e sigurimeve shoqërore si pasojë e përfituesve të parregullt të pensioneve të pleqërisë, invaliditetit si dhe të trajtimit të veçantë si ish-punonjës të minierave. Për të njëjtën periudhë kohore iu nënshtruan verifikimit rreth 5 mijë dosje pensionesh.

Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›