Rama padit Berishën për “sulmin” nga Parlamenti
Autori i Lajmit: RedaksiaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, padit në Prokurorinë e Përgjithshme kryeministrin Sali Berisha. Kallëzimi penal është dorëzuar pasditen e djeshme nga avokatët e Partisë Socialiste, Arjan Salati dhe Eno Bushi. Në objektin e këtij kallëzimi kërkohet regjistrimi i procedimit penal dhe fillimi i hetimeve ndaj kryeministrit, për kryerjen në dëm të Kryetarit të Partisë Socialiste të veprave penale të “shpifjes dhe të fyerjes për shkak të detyrës, të kryera botërisht, ashtu siç parashikohen nga Kodi Penal”. Po ashtu, Edi Rama kërkon të legjitimohet si paditës civil në procesin penal ndaj kryeministrit Berisha, me qëllim shpërblimin e dëmit të shkaktuar. Sipas kërkesës që i është adresuar direkt Prokurores së Përgjithshme, veprat penale janë konsumuar nga kryeministri në Kuvendin e Shqipërisë gjatë fjalës së mbajtur në seancë plenare dhe në konferencën për shtyp disa ditë më pas.
Padia
Padia e depozituar nga avokatët e PS-së rendit akuzat e kryeministrit Sali Berisha ndaj Ramës dhe kundërpërgjigjet për to. “Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij ...? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur...”, - citohet në padi. Aty thuhet më tej se në vijim të sulmeve shpifëse ai artikulon frazën: “Ti akuzon babën si baba të djalit”. “Pohoj me bindje e përgjegjësi të plotë para ligjit e shoqërisë përmbajtjen shpifëse të këtyre frazave që nuk kanë absolutisht asgjë të vërtetë. Unë nuk kam bërë e as çuar kurrë ndërmend akuza të tilla të përbindshme, të cilat i hedh poshtë me neveri, kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë, kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për tu rritur dhe edukuar normalisht”, - pohon Rama. Më tej, kundërshtohen akuzat për devijime të jetës intime të Ramës. Sipas tij, kjo është një tjetër shpifje e pashembullt që meriton të gjithë neverinë, por edhe ndëshkimin e ligjit. I kallëzuari, sipas Ramës, shpif edhe për gjoja dhunë të përdorur prej tij në publik ndaj bashkëshortes. “Zoti Rama, më thuaj, cili është ai burrë që e rreh si kafshë te “Piazza” dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare?” - citohet në padi, ndërsa shpjegohet se ska absolutisht asgjë tjetër përveç shpifjes edhe në monstruozitetin e sipërcituar dhe nënvizoj se kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, jeta ime ska pasur të bëjë me dhunën ndaj kujtdo qoftë. “Duke iu drejtuar nënës sime, Aneta Rama, i kallëzuari Sali Berisha shqipton fjalët e mëposhtme: “Tani do ti them zonjës: Kam shumë respekt për ty, po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që tu tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... Dil me kurajo si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në pazar”. Në shpifjet e mësipërme që Sali Berisha i përhap publikisht si të dhëna për qëllimin e tij të ulët të diskreditimit të personit tim publik, duke cenuar rëndë e në mënyrë të pafalshme edhe dinjitetin e nënës sime, jo vetëm nuk ka kurrfarë të vërtete, po ka një urrejtje veçanërisht të patolerueshme për dikë që flet nga foltorja e Parlamentit”, - shkruhet më tej në padi. Më tej citohen akuzat ndaj Ramës për lidhje me botën e krimit dhe si vrasës i Denis Ginës. “Në vijim të akuzave të së njëjtës natyrë, për lidhje të fantazuara nga deputeti Sali Berisha me persona të akuzuar nga drejtësia për krime të rënda, i kallëzuari shprehet: “Zoti Rama, cilat janë lidhjet e tua me Aldo Baren. Transkriptimet flasin se mes tij dhe Dondollakut ti firmos si një bajloz.” Dhe më tutje shton akuzat duke më quajtur kreun e një mafieje të supozuar prej tij duke thënë shprehimisht: “Unë të jap fjalën që me atë vullnet e me atë përkushtim që jam përballur në vitin 1990-91 me një sistem që duhej shembur, po me atë vullnet të hekurt dhe vendosmëri përballem sot me mafian që ti kryeson”. E konsideroj absolutisht të domosdoshme transparencën e plotë lidhur me këto shpifje shumë të rënda, të cilat bashkojnë emrin tim me emra personash që skanë pasur të bëjnë kurrë me mua, në asnjë mënyrë, rrugë apo rast”, - citohet në padi. Më tej ai kundërshton akuzat për dhëniet e lejeve të ndërtimit.
Akuzat për familjen
“Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij ...? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve, cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur...” Në vijim të sulmeve shpifëse ai artikulon frazën: “Ti akuzon babën si baba të djalit!”. Pohoj me bindje e përgjegjësi të plotë para ligjit e shoqërisë përmbajtjen shpifëse të këtyre frazave që nuk kanë absolutisht asgjë të vërtetë.
Jeta intime
Duke shpifur për gjoja devijime të jetës sime intime, i kallëzuari nxjerr fjalët e mëposhtme : “Zoti Rama, cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe e detyron gruan e tij të largohet natën e lemeritur?”. Kjo është një tjetër shpifje e pashembullt që meriton të gjithë neverinë time, por edhe ndëshkimin e ligjit.
Kallëzim për shpifje
I kallëzuari shpif edhe për gjoja dhunë të përdorur prej meje në publik ndaj bashkëshortes: “Zoti Rama, më thuaj, cili është ai burrë që e rreh si kafshë te Piazza dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare?” Ska absolutisht asgjë tjetër përveç shpifjes edhe në monstruozitetin e sipërcituar dhe nënvizoj se kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, jeta ime ska pasur të bëjë me dhunën ndaj kujtdo qoftë.
Deklarata për nënën
Duke iu drejtuar nënës sime, Aneta Rama, i kallëzuari Sali Berisha shqipton fjalët e mëposhtme: “Tani do ti them zonjës: kam shumë respekt për ty, po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që tu tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... Dil me kurajo si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në pazar”. Në shpifjet e mësipërme që Sali Berisha i përhap publikisht si të dhëna për qëllimin e tij të ulët të diskreditimit të personit tim publik, duke cenuar rëndë e në mënyrë të pafalshme edhe dinjitetin e nënës sime.
Bota e krimit
Duke më akuzuar deri edhe për lidhje me botën e krimit dhe si vrasës i Denis Ginës, i kallëzuari nxjerr deri edhe fjalët e mëposhtme: “I nise aferat me Denis Ginën, i cili u vra në një rrethim me policinë. E vranë me antitank... (pauzë) ...për hir të së vërtetës, të më falë zonja (është fjala për zonjën Rudina Magjistari) po mori për burrë, vrasësin e burrit të parë! Kjo është e vërteta, ti themi këto gjëra, jemi shqiptarë! Dhe iu desh kohë që të kuptonte. Iu desh që ta pësonte për të kuptuar gabimin që kishte bërë”. Nuk gjej fjalë për të shprehur indinjatën time për ultësinë e pashoqe ku ka zbritur i kallëzuari që artikulon të tilla perversitete, por theksoj, gjithnjë me përgjegjësi të plotë ligjore e morale, karakterin shpifës kriminal të këtyre sajesave fund e krye.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009