Shteti ligjorNga Ajet DelajPër mendimin tim fjala me më inflacion këto vitet e fundit ka qenë shprehja “shteti ligjor”, që përdoret si barkë shpëtimi, sa herë nevojitet që pushtetarët të kalojnë lumin e ta trajtojnë atë si letër higjienike, sa herë j
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shteti ligjorNga Ajet DelajPër mendimin tim fjala me më inflacion këto vitet e fundit ka qenë shprehja “shteti ligjor”, që përdoret si barkë shpëtimi, sa herë nevojitet që pushtetarët të kalojnë lumin e ta trajtojnë atë si letër higjienike, sa herë janë larg syve të publikut apo kur duan të godasin kundërshtarët kudo ata qofshin brenda radhëve të tyre apo përballë.
E keqja është se këtë formulë shpëtimtare e kanë përdorur të tërë pa dallim në 20 vitet e fundit apo që të jemi të saktë, nuk ka ndryshuar asgjë që në kohën e Zogut, siç thuhet rëndom në Shqipëri, megjithëse formalisht ky ekzistuesi është regjimi i tretë në Shqipëri gjatë 80 viteve të fundit. Nëse janë të sakta ato që pasqyrojnë mediet në Shqipëri apo nuk kemi arritur t’i lexojmë apo kuptojmë drejt raportet monitoruese të organizmave prestigjioze perëndimore gjatë 20 viteve të fundit, është pikërisht mungesa e shtetit ligjor që ka përcaktuar proceset integruese të Shqipërisë postkomuniste.
Rezultati i këtij integrimi besoj nuk ka nevojë për koment e aq më pak për dekorata, pasi Shqipëria mbeti e fundit në Evropën Juglindore, megjithëse shtetet përreth nesh kaluan në luftëra të përgjakshme civile e para dy ditësh fituan të drejtën të lëvizin lirshëm në BE. Për hir të së vërtetës duhet thënë se për të konstatuar mungesën e shtetit ligjor në Shqipëri nuk duhet ndonjë punë e mirëfilltë investigative, pasi mungesa e tij vërehet që nga trafiku e polici në rrugë e deri te respekti i administratës për ligjin e rregullin gjatë orarit të punës.
A kam të drejtë të pyes se, në cilin institucion qendror të shtetit shqiptar janë vendosur aparatet elektronike që duhet të kontrollojnë kohën e hyrjes dhe të daljes nga institucioni apo iu konvenon më mirë që titullari të sillet si pasha, jo vetëm me punonjësit, por më së pari me paranë publike?
Megjithëse, siç e thashë më lart dhe siç është e vërteta, sistemi gjyqësor, si elementi kruçial i shtetit ligjor, ka qenë dhe është në ditë të hallit, a duhet ta dimë se sa është dëmi në buxhetin e shtetit në 20 vitet e fundit nga largimet e paligjshme nga puna dhe sa vendime gjykatash të formës së prerë ka aktualisht të pazbatuara dhe sa është kostoja e tyre në të ardhmen?
Shteti ligjor është një organizëm i tërë dhe si i tillë duhet të funksionojë në të tëra hallkat e tij, i drejtë e i paanshëm, gjithnjë shpërblyes për të dëmtuarin e ndëshkues për fajtorin, e jo siç funksionon rëndom në Shqipëri, ku dëmin e bën zyrtari i korruptuar, i paaftë e primitiv, e pagimin e bën buxheti, d.m.th., qytetari me taksat e tij.
Shtetarët e pushtetarët shqiptarë gjatë 20 viteve të fundit kanë firmosur pothuaj të tëra konventat perëndimore që përcaktojnë e mbrojnë liritë dhe të drejtat themelore në Shqipëri, por në anën tjetër të tërë së bashku në mbrojtje të pronës së grabitur
gjatë komunizmit e tranzicionit e në kundërshtim me firmën e angazhimin e tyre vazhdojnë të paguajnë gjobat e Gjykatës së Strasburgut po nga buxheti i shtetit, pra nga taksat tona, që me siguri nesër kanë për të qenë në shuma marramendëse, vetëm të
garantojnë së bashku vazhdimësinë e mentalitetin komunist të Shqipërisë.
Përcaktimi i rregullave të qarta mbi biznesin e konkurrencën e ndershme, mbështetur nga një sistem i konsoliduar siguracionesh e numri social apo i pasurisë, quaje si të duash, është një domosdoshmëri për të ngritur e konsoliduar sistemin kapitalist dhe jo dëshirë e pashallarëve të kuq apo blu, sipas radhës.
E them këtë, pasi shtetarët shqiptarë lejojnë aktivitete të tilla si shkatërrimi i municioneve të pasiguruara askund e kur ndodh hataja, siç ndodhi, paguan përsëri
buxheti i shtetit. Cili shtetar e pushtetar në 20 vitet e fundit ka deklaruar se sa është borxhi i jashtëm e i brendshëm që Shqipëria u ka institucioneve dhe bankave perëndimore dhe ku kanë shkuar ato pará të ndara në zëra e investime konkrete? Demokraci, ndërmjet të tjerash, do të thotë transparencë, llogaridhënie e vizion në mbledhjen e investimin e parasë publike. Sa është shuma e shpërdoruar dhe vjedhur në 20 vitet e fundit, nëse i referohemi Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe sa zyrtarë janë dënuar për këtë e sa vite burgu kanë bërë? Politika shqiptare sjell argumente e kundër-argumente, kur bëhet fjalë për karrigen e tyre, duke cituar e referuar Kushtetutën e asnjëri nuk e thotë një gjysmë fjale se si kanë guxuar e si guxojnë ta shkelin Kushtetutën, që prej 11 vjetësh, e kjo e konstatuar nga Gjykata Evropiane e jo nga KQZ e tyre e ngritur nga të dyja palët me njerëz ordinerë.
Sa vrasje kanë ndodhur në 20 vitet e fundit në Shqipëri dhe sa të dënuar për jetë ka në burgjet shqiptare sot për të kuptuar se si funksionon shteti ligjor për një problem fondamental, siç është jeta.
Me qëllim nuk hyra në detaje, pasi një analizë e hollësishme e ilustruar me fakte të bollshme të mungesës së shtetit ligjor me siguri do dilte një raport mijëra faqesh, me siguri aq apo më shumë se pyetësori që u ka dërguar BE, pasi pyetësori me siguri është ngritur mbi shqetësime të vërejtura ndër vite. Një shtet që nuk respekton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut mbi të drejtat e pronës dhe besimit e jetës, nuk respekton e garanton të drejtën e jetës e krijimit të të mirave materiale, bazuar mbi punën e ndershme e shanse të barabarta, që nuk garanton dot funksionimin e zbatimin e vendimeve të institucioneve të veta kushtetuese, gjithçka mund të jetë, veç shtet demokratik e ligjor nuk mund të jetë.
Në të tilla kushte liberalizimi i vizave dhe hyrja në BE respektivisht në korrikun e 2010 e 2013 apo për një javë, siç thotë ana tjetër, nëse ikën z Berisha, me siguri matematike kanë për të rezultuar propagandë e mashtrime, ashtu siç ka ndodhur edhe shumë herë të tjera gjatë këtyre 20 viteve të fundit.
Pa ndërtimin e konsolidimin e sistemit demokratik kapitalist nuk ka as nuk ka për të pasur, as integrim, as zhvillim e mirëqenie e siguri për jetën e pronën e shqiptarëve. Çdo mashtrim apo vetëmashtrim ka për të rezultuar fatal e çkombëtarizues, siç ka qenë
terrori e izolimi komunist apo braktisja masive e 20 viteve të fundit.
A ka një shembull të dytë në tërë botën që për 20 vjet ta kenë braktisur vendin e tyre 50% e popullsisë? Tregues më të mirë se këtë nuk mund të këtë për të vlerësuar lidershipet politike në 65 vitet e fundit.