E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkotit po i vjen fundit, por po lexohet edhe fundi i Ramës

Harta politike e Shqipërisë sot për sot është shumë e thjeshtë. Nga njëra anë, koalicioni qeverisës, fitues i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, që përfshin të djathtën dhe të majtën shqiptare konstruktive. Nga tjetra, e majta në shpërbërje e sipër, që, përpos demagogjisë dhe kinse protestave, i ka mbështetur shpresat te manipulimet e një pjese të drejtësisë, infektuar qysh në zanafillë me virusin e komunizmit.
Nga ky kontekst, nuk mund të përjashtohet kërkesa e pambështetur në ligj për hapjen e kutive të votimit. Shembullin më kuptimplotë në rezonancë me britmat e Edvin Ramës, e ka dhënë dhe po e jep Gjykata Kushtetuese e Fehmi Abdiut, njërit prej shërbestarëve më të zellshëm dhe më të spikatur të regjimit komunist, e cila sot për sot ngjan segmenti më i mahisur, më i përskuqur i trajektores së drejtësisë në Shqipëri. Rasti i fundit dhe tepër domethënës është rrëzimi i Ligjit për hapjen e dosjeve, në konflikt interesi me pjesën më të madhe të atyre që morën vendimin. Përpara se të jepte verdiktin që ka tronditur opinionin brenda dha jashtë vendit, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do të kishte bërë mirë të ishte vetëpastruar, në mënyrë që të shkëputej prej së kaluarës mëkatare. Ndonëse harakiri, ky akt do të ishte shërbimi më i vyer që do t’i bënte vendit njëra prej tre shtyllave të sistemit demokratik. Do të ishte edhe performancë profesionale e njerëzve të drejtësisë, jashtë komplikimeve që jeta nuk i kursen kurrë. Mirëpo organi i lartë kushtetues i ka këmbët e lidhura me litarin që diktatura e ka lënë jashtë varrit të vet për të ngatërruar botën e të gjallëve, i ka të lidhura me të majtën plëngprishëse që po ha vetveten.
Protesta e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë përpara Gjykatës Kushtetuese është zëri i gjithë atyre që kërkuan drejtësi në kohën e diktaturës dhe që, për këtë shkak, u zhdukën pa lënë varr, është zëri i gjithë atyre që mbijetuan të gjymtuar trupërisht e mendërisht dhe që po e vuajnë gjymtimin falë mbeturinave të sistemit, të cilat po gjallojnë në trupin e demokracisë së brishtë shqiptare. Mirëpo demokraci pa drejtësi nuk ka. Ndaj të mos na gënjejë mendja se do ta gëzojmë atë çka kemi ëndërruar, falë atyre që e nëpërkëmbën dhe po e nëpërkëmbin drejtësinë. Në këtë kuptim, vendi ka nevojë për reforma të qenësishme të cilat nuk mund të arrihen kurrsesi me politikën e bojkotit.
***
Tashmë, është e qartë: bojkotit po i vjen fundi. Fillimi i marsit sikur ka ardhur. Me hir a me pahir, pavarësisht parashikimeve për djegien e mandatit të të pamandatuarve socialistë, Kuvendi do t’i ketë së shpejti të dy krahët e asaj çka, në krye të këtij shkrimi, e përcaktova si hartë politike të Shqipërisë. Do të mungojnë ato partiçkat e Gjinushit, të Milos, të Ngjelës, të Ndokës, të 99-shave. Aq më mirë. Do të mungojnë për ca kohë, ndoshta, edhe besnikët e Ramës, po qe se ky do të vazhdojë t’i bjerë fyellit në një vrimë, në atë të kutive. Pas kësaj, do t’u vijë radha “rezervave”, nëmos u futshin “titullarët” qysh në mars me qëllim diversioni. Sepse shumicën qeverisëse e presin sfida të reja, çka do të kërkojnë bashkëpunimin e mirëkuptimin e politikanëve të arsyeshëm, që e duan vendin, demokracinë, afrimin me Europën, qoftë edhe në frymë opozitare. Po a mund të përfytyrojë dot Rama opozitë pa diversion politik. Diversioni është arma e tij më e fortë në politikë, çka ai do ta përdorë me mjeshtëri edhe brenda sallës së Kuvendit.
Rrjetet televizive italiane njoftonin mbrëmë për konfiskimin e 14.000 ndërtimeve të paligjshme, në zotërim të mafies kalabreze. Hapi i guximshëm i hedhur prej ministrit Maroni, u përshëndet thuajse nga i gjithë spektri politik, me përjashtim të ca kokave të ndezura, që shohin vetëm ëndrra për rënien e qeverisë Berluskoni. A mund ta marrim dot me mend ne çka do të ndodhte sikur ministri Basha të vinte dorë mbi zotërimet e mafies shqiptare? Ja pse do të duhej bashkëpunimi pozitë – opozitë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjelltë, përveç shumë e shumë arsyeve të tjera që kanë të bëjnë me mirëqenien e shqiptarëve, me reformat për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ja pse do t’i duheshin Ramës “diversantët” edhe në sallën e Kuvendit.
***
Bota na do ne, shqiptarët, pavarësisht ndonjë zullumi njerëzish të paformuar, që nuk mungojnë askund në vendet e qytetëruara, as në ato me demokraci qindravjeçare, as në ato me mirëqenie nga më të lartat.
Për t’i mbyllur këto përsiatje, do të kujtoja që emri i Nënë Terezës, sot citohet me nderim në gjithë rruzullin tokësor. Agjencitë e lajme bënin të ditur dje se, në Peru është botuar libri më i madh i botës. Me përmasa gjiganteske, (3,20 m gjatësi, 2 m gjerësi, 250 kg peshë dhe 160 faqe të ilustruara), libri i titulluar “Më i miri i mendimeve universale” është ekspozuar në Panairin e famshëm të Librit në Havanë (Kubë). Ajo çka duhet të na mbushë me krenari ne, shqiptarët, në libër, është përfshirë edhe Nënë Tereza, krahas 2000 mendimtarëve të dëgjuar të të gjitha kohërave, duke filluar me Konfucin, te Shekspiri, te Gabriel Garcia Markez, Gandi etj.
A do të na falej neve, shqiptarëve, të mos e duam botën, sepse ashtu i paska shkrepur Edvin Ramës për probleme që ai ka me vetveten dhe me ata që mban përreth?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›