E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur tek një matrapaz i politikës bashkohen tersi dhe kërcënimet e një njeriu të keq

Sot nuk kam shumë radhë. Sepse fjalët kanë një peshë. Nuk janë kurrë të lehta. Sapo e thua një herë, një fjalë bëhet rrugë në kalldrëmin e trurit, prodhon një mendim, provokon një reagim. Fjalët e deklaruara nuk kthehen kurrë mbrapsht. Thagma në politikën shqiptare është se Edi Rama shënon rekorde vetë-sugjestionim në mënyrë hiper-atrofike – jo se përdor kërpudha meksikane -por sepse përditshmëria e përsëritjes së fjalës “popull” amton se ndiqet pikë për pikë nga një popull i heshtur. Në një takim në qytetin e intoksikuar të Elbasanit me gazetarë të llogores së vet dhe militantë të dorës së dytë - ata që duartrokasin kur është e panevojshme - ka lëshuar “kërcënimin” e radhës “ballafaqimi mes popullit dhe pushteti do të bëhet i pashmangshëm”. Edi Rama riprodhoi në Elbasan një surrogate të “Gjyqeve speciale “ku në emër të një populli dënoheshe, por sot janë kohë të tjera ku vetëm “kërcënohesh” me protesta destabilizuese, që e largojnë vendit nga liberalizimi i vizave.
Lideri i PS në Elbasan thërret në emër të popullit, shpesh kjo konvertohet automatikisht (por jo logjikisht) në emër të të gjithë shqiptarëve. Shpesh Edi Rama harron se është kryetar i PSSH dhe jo profet apo Kryetar i Shqiptarëve. Latinët kishin shprehjen “Nemo propheta in patria”, asnjë nuk është profet në vendin e tij. Kurrsesi nuk mund të flasësh si përfaqësues politik i një pjese të spektrit të politikës shqiptare në emër të të gjithë shqiptarëve. Nuk ka gajle pasi dëliri i madhështisë apo etja për pushtet të pakufishëm e bën të këtë guximin të thërrasë në emër të një “popullit opozitar”. Po populli maxhoritar çfarë bën? Mashtrimi i opinionit publik është besimi i vetëm i të Papranueshmit. Ngase ka demokraci për të vlerësuar një qeveri apo një opozitë, i takon parimisht popullit, qeveria duhet të prezantohet me atë çfarë ka bërë dhe çfarë mendon të bëjë, ndërsa opozita duhet të prezantohet me atë që premton të bëjë më shumë sesa qeveria. Por kur këtu kemi një “sekuestrimi” të vlerësimit të popullit nga opozita edviniane, që nuk prezanton asnjë alternativë përpos “ik ti të vij unë”. Ngase kemi demokraci vlerësimi për punët e qeverisë i takon parimisht popullit me anë të votës, kurse opozita kërkon t’i verë syzet e errtë të Edi Ramës për të parë qeverinë nga rruga e protestave.
Mirëpo dy shqiptarë në tre mendojnë se bojkoti i opozitës është i dëmshëm, i panevojshëm të zgjatet pa limit, në kufijtë e djegies së mandateve. Kryetari i socialistëve me mantrën e “hapjes së kutive” po bën të falimentojë investimin e 63 deputetëve socialistë të përfaqësojnë elektoratin e tyre. Pjesa më e madhe e tyre, për shkak edhe të Kodit Zgjedhor, nuk e di se ku e ka zyrën në zonat ku janë zgjedhur. Veç dinë se janë deputetë të pakryer dhe në tentativë që kanë të vetmen pikë reference - kur nuk ka konferenca për shtyp - interpretimet e gjendjes humorale të lidershipit të PS. Mjerisht nuk kemi një klase qytetare e politike të mirëfilltë, dhe derisa ajo të formohet konsolidohet, do të vazhdojmë të kemi probleme të kësisoj mesinizmash.
Por është shumë e rëndësishme që klasa politike të formohet mbi një bazë vlerash dhe jo anti-vlerash. Madje është shumë e rëndësishme që një klub politik të forcohet jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ana e vlerave dhe e kulturës. Nevojitet një politikë më fisnike dhe iluministe për të rikuperuar handikapin dhe sakatosjen shekullore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›