E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishikimi i normave të mësuesve, vazhdë e reformave në arsim dhe jo represion politik

Në vazhdën e reformave në arsim MASH ka rishikuar normat e mësuesve në arsimin parauniversitar. Ndjeva keqardhje kur kryetari i Bashkimit te Konfederatave te Shqiperise, z.Kol Nikolla, bënte një koment të kësaj reforme duke i dhënë nuanca krejtësisht politike madje shkoi përtej imagjinatës kur thoshte “heqje e mësuesve sipas përkatësisë partiake”. Pas daljes së udhëzimit të MASH “Për Normat e punes mësimore në arsimin parauniversitar dhe standarde te lidhura me to”, u kalua në rishikimin konkret të normave mesimore në çdo shkollë nga DART në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave. Duke parë mënyrën e trajtimit të problemit nga eprorët tanë e ndjeva si detyrë morale të bëj një koment për këtë çështje.
Gjatë zbatimit te ketij udhezimi nëpër shkolla, nuk është parë përkatësia partiake e askujt. Po të ishtë parë kjo, të parët që do e vinin re do ishim ne drejtorët e shkollave. Qe kjo reforme nuk është politike, besoj se e kanë ndjerë edhe vetë mësuesit. Konkretisht në Tiranë, DART është munduar të bëjë zgjidhjet më të mira. Por çuditërisht kryetari i konfederatave del me një koment të vendimit për këtë çështje. Mirë do të ishte të mbaronte reforma dhe të flitej konkretisht. Nuk kuptoj çfarë e shqetëson këtë zotëri të nxitojë? Ndoshta dashamirësia për anëtarët e konfederatës. Në fakt ai është i stresuar edhe më shumë me këtë deklaratë. Kur reforma nuk po zbatohet si e tillë, çdo t’u thotë këtyre anëtarëve zotëria në fjalë?! A do ta bënte këtë deklaratë z.Nikolla nëse në pushtet do të ishte PS? Jam e sigurtë që jo!
Fatmirësisht politikat arsimore të kësaj qeverisje janë largpamëse dhe krejtësisht të ndryshme nga ato të qeverisjes socialiste. Dhe jatë kësaj qeverisje konfederatat nuk ndiheshin cfarëdo që të bënte qeverisja e asokohe. E siguroj z.Nikolla që drejtimi i sotëm ndryshon nga ai i qeverisjes socialiste. Atëhere duhet të shqetësoheshit ju zotërinj të Konfederatës, se mbi mësuesin me përkatësi partiake të djathtë ushtrohej një presion i vazhdueshëm dhe i paparë. Nga përvoja ime si mësuese e tani si drejtuese po ju them, se drejtuesi nuk kishte në thelb punën që bënte mësuesi, por luante rolin e një “xhandari” që të godiste mësuesit josocialistë. Unë e di ç’kam hequr gjatë kësaj qeverisje me katër mësues të tjerë që kishim ide të djathta. Kur nuk trokita për ankesë në DART-in e asokohe, pasi e dija që nuk gjeja zgjidhje, ndërkohë që emrat tanë dhe atje ishin çuar si të tillë. Kur nuk shkova të ankohem as te sindikata të kërkoj mbrojtje dhe pse isha një përfaqësuese e denjë e saj. Por mbrohesha me forcën e punës. Ndërsa idetë e mia i shprehja dhe asokohe në shtyp pa m’u trembur syri. I bëra këto komente për t’i thenë z.Nikolla e përfaqësuesve të tjerë të konfederatës së arsimit të mos përhapin panik tek mësuesit, në emër të mbrojtjes së tyre. Mos mbroni mësues të paaftë. Nuk jam për mosmbrojtjen e mësuesve, pasi ajo është detyra juaj, por ajo mbrojtje të jetë me vend dhe në çdo kohë, jo vetëm kur PD është në pushtet, ju dilni e deklaroni kundër vendimeve të saj. Kur qeverisja socialiste nuk ngrinte pagat e mësuesve, ju strukeshit si në rastin e një greve për pagat e mësuesve në 2005. A nuk ishte kjo e drejta e mësuesve?! Unë mendoj që në thelb të punës suaj të keni vertet mbrojtjen e mësuesve etj dhe jo lojra politike. Mbroni mësuesit atëhere kur jeni të bindur se kanë të drejtë jo si në rastin e 2-3 mësuesve të paafta të “Gjon Buzukut”, pa u bindur nëse ato ishin në rregull me kryerjen e detyrës... Unë kam patur rastin ta diskutoj në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë fenomen me z. Xhafer Dobrusha. Fola me shembuj konkret dhe pse pak të lodhshëm, për ta bërë bindës mendimin se ju drejtuesit e konfederatës nxitoheni në deklarata e ne veprime. Nuk është thjesht nxitimi, por ky nxitim nuk shkon në funksion të ndihmës së mësuesit, por mund të shërbejë si shtysë për luftë politike brënda stafeve të mësuesve, kur ju e dini mirë se shkolla është e depolitizuar.

Autorja e shkrimit është Drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Xhezmi Delli” në kryeqytet

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›