E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkotojnë liberalizimin

Vetëm 12 kryetarë komunash nga 37 sa ka vendi, morën pjesë në një takim ku u diskutua për riintegrimin e personave të riatdhesuar - që aktualisht është kushti kryesor për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Ministrja Vlora Çitaku, e irrituar, tha se do t’iu shkojë në zyre kryetarëve që bojkotuan takimin. Nga Nebih Maxhuni më 23 qershor 2011 në ora 08:24

Shumicës së kryetarëve të komunave të Kosovës, duket se nuk iu intereson hiç procesi i liberalizimit të vizave, e as çfarë kanë për të thënë kryeministri Hashim Thaçi e ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Nga 37 kryetarë të komunave, vetëm 12 prej tyre të mërkurën morën pjesë në takimin e udhëhequr nga ministrja Çitaku, e ku do të fliste edhe kryeministri Thaçi, për procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar. E dëshpëruar me mosinteresimin e kryetarëve të komunave për të marrë pjesë në këtë takim, ministrja Vlora Çitaku u çoi porosi.

Meqë ata hezitojnë të vijnë, atëherë ajo tha se do të shkojë personalisht nëpër komuna.

“Në rast se ata hezitojnë të shfaqen, apo kanë angazhime që të shfaqen në takime që ne i ftojmë, unë do të shkoj personalisht atje”, tha ministrja Çitaku, e cila përveç që ishin pak veta prezent, për shkak se ndodheshin në sallën e madhe të Qeverisë, atëherë dukeshin edhe më pak. Por ministrja vazhdoi fjalën, madje duke treguar se i di mirë punët e komunave. “E mira është se shumë punë janë kryer. Gjendja në nivelin komunal është shumëfish më mirë sesa që ka qenë tre apo pesë muaj më parë dhe unë fuqimisht besoj se kjo çështje do të vërtetohet edhe pas vizitës së Misionit për Vlerësim të Komisionit Evropian”, tha Çitaku.

Por disa prej shumë kryetarëve të komunave që nuk shkuan në këtë konferencë, japin arsyet e tyre për mungesë. Në këtë takim nuk munguan vetëm kryetarët e komunave nga partitë opozitare si LDK apo AAK, por edhe të vetë PDK-së.

Madje edhe nga komuna të mëdha si Gjilani, Prishtina, Gjakova, Peja apo Rahoveci, nuk ishin fare në takim.

Qemjal Mustafa, kryetari i Gjilanit, që është nga partia e kryeministrit Thaçi, mungesën në këtë takim e arsyetoi fare thjesht
.
“Unë nuk kam qenë i informuar për këtë takim. S`më ka njoftuar askush”, tha ai për Express. Por ndryshe nga ai, Smajl Latifi, kryetari i Rahovecit, që është nga partia opozitare AAK, tregon se ka qenë shumë i zënë dhe për këtë arsye nuk ka shkuar vetë.

Takimi me ambasadorin britanik në Prishtinë duket të jetë më i rëndësishëm sesa llafet e kryeministrit Thaçi dhe ministres Çitaku. “Nuk kam marrë pjesë në takim meqë kam pasur një takim këtu në zyrën time me ambasadorin britanik në Kosovë”, thotë Latifi për Express. Por ndryshe nga kolegu i tij nga Gjilani apo Prishtina, Latifi ka bërë njëfarë zgjidhjeje. “Me këtë rast kam dërguar nënkryetarin dhe një drejtoreshë adekuate për këtë çështje”, tha ai. Expressi është përpjekur të flasë edhe me kryetarë të tjerë komunash për të mësuar arsyet e këtij bojkoti, por kjo ishte e pamundur.

Ndërkohë, atyre pak kryetarëve të komunave që ishin të pranishëm, kryeministri Hashim Thaçi u dha porositë që i kishte të shkruara. Ai u kërkoi atyre të angazhohen për riintegrimin e të riatdhesuarve në mënyrë që procesi për liberalizimin e vizave të jetë sa më i suksesshëm.

Ai tha se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar plotësisht për procesin e liberalizimit të vizave, ndërkaq shtoi se diçka e tillë mund të arrihet përmes një angazhimi të shtuar për implementimin e rregullores për zyrat komunale për komunitete dhe kthim, gjë që do të siguronte funksionalizimin e plotë të tyre. Në takim ishin edhe ndërkombëtarët.

Përfaqësuesi i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sino tha se duke pasur parasysh se procesi i riintegrimit është mjaft kompleks, duhet të punohet në nivele të ndryshme dhe kryetarët e komunave kanë rol kyç. Atyre që ishin prezent, Sino iu tha se në esencë, janë ata që duhet të merren me qytetarët të cilët kthehen. “Sepse ju i koordinoni shërbimet në nivelin komunal. Në këtë kuptim, ju jeni në kontakt direkt me personat e riatdhesuar. Atë që presim ne nga ju, është që të lehtësoni qasjen për shërbimet që i ofroni apo i koordinoni”, porositi ai. Në këtë takim, ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai foli për punët që ka bërë kjo ministri.

Sipas Rexhepit, janë alokuar 3.4 milionë euro për vitin 2011, për zbatimin e strategjisë për riintegrimin e personave të riatdhesuar. “Bordi ekzekutiv ka aprovuar rreth 50 kërkesa nga komunat për mbështetje personave të riatdhesuar. Sekretariati mbështetës i Bordit Ekzekutiv për Riintegrim është funksional. Zyra pritëse në aeroport është funksionale dhe ofron informacione dhe këshilla për personat e riintegruar si dhe mbledh informacione të nevojshme për secilin person të riatdhesuar”, tha ministri.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Administratës Publike, Sllobodan Petroviq ka shprehur angazhimin dhe gatishmërinë e tij për të dhënë mbështetje në rrugën për procesin e liberalizimit të vizave, konkretisht kthimin në vend dhe riintegrimin e të zhvendosurve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›