Zbehtë për hajninë
I kthehet zanatit të vjetër. Albin Kurti, edhe pse është bërë deputet i Kuvendit të Kosovës, sërish mori megafonin në dorë duke folur para mijëra njerëzve të tubuar para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Kësaj radhe kishte një dallim te ai. Xhepat e pantallonave i kishte nxjerrë jashtë, ashtu siç bënë edhe krerët tjerë të Lëvizjes “Vetëvendosje”. Ky edhe ishte qëllimi i protestës që u quajt “Kundër Hajnisë” e xhepat jashtë simbolizuan varfërinë e qytetarëve, për shkak të, siç thanë ata, “hajnisë së pushtetarëve”. Me parulla “Hajna”, “Hajna” dhe kundër kryeministrit Hashim Thaçi e krejt kabinetit qeveritar, protestuesit fillimisht të mbledhur para Bibliotekës Kombëtare marshuan drejt sheshit “Nëna Terezë” për të arritur afër ndërtesës së Qeverisë.
Këtë të fundit dhe të gjitha ndërtesat ku gjenden institucionet e vendit i kishin rrethuar forca të mëdha të policisë. Policë pat gjithkund, kurse fjalimet e protestuesve u mbajtën në një skenë të improvizuar sepse atë të vendosur më herët ua kishte hequr policia.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për këtë veprim akuzoi drejtorin e Policisë se ka punuar si sigurim në ambasadat e ish Jugosllavisë dhe ka qenë nën hetime nga Inspektorati Policor deri në vitin 2008, atëherë kur kryeministri Hashim Thaçi urdhëroi të ndërpriten hetimet, në mënyrë që ta shantazhojë dhe kontrollojë atë.
Kurti tha se ky pushtet e ka vjedhur shtetin dhe duhet që shteti të çlirohet prej këtij pushteti. Aktivistët e Vetëvendosjes në shenjë simbolike, paraqitën një balonë me emrin e foton e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili, sipas tyre, “fryhet nga hajnia dhe kursimet”.
“Këta pushtetarë i kanë vjedhur votat për të vjedhur pare, për të vjedhur vota që të vjedhin edhe më shumë pare. Ashtu siç po shpërthejnë këta balona, do ta shpërthejmë edhe hajninë prej institucioneve dhe t’i eliminojmë hajnat prej politikës”, tha Kurti në fjalimin e tij të gjatë.
Sipas tij, pushtetarët po e vjedhin buxhetin e Kosovës nëpërmjet korrupsionit, manipulimit me tenderë dhe shitjes së ndërmarrjeve të mëdha publike siç janë PTK-ja, KEK-u dhe Trepça. Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, Kurti tha se sa herë që do Serbia, e fton Qeverinë e Kosovës dhe kjo e fundit “nuk ka çare pa shku në bisedime, sepse arsyeja pse Qeveria e Kosovës shkon në bisedime është se ajo është e korruptuar dhe e ka bishtin e zënë me derë”.
Kurti tha se politikanët hajna nuk e kanë vendin në politikë, ndërkaq godinën ku gjendet Kryeministri dhe një pjesë e ministrive i krahasoi si pavijon VIP në burgun e Dubravës. Kurti foli edhe për luftën e fundit në Kosovë, me ç’rast tha se ushtarët e vërtetë janë veteranët që po bëjnë grevë para ndërtesës së Qeverisë. Lideri i Vetëvendosjes foli edhe për autostradën Vërmicë-Merdarë, duke saktësuar se nuk është kundër kësaj rruge të kombit. “Por, jemi kundër hajnave të kombit“, tha ai.
Shpend Ahmeti, ish anëtar i Frymës së Re, tashmë të shkrirë në lëvizjen “Vetëvendosje”, tha para protestuesve se Kosova është vendi më i varfër në botë, ku gjysma e popullatës nuk ka për të ngrënë bukë. Kosova, sipas Ahmetit, është vend me papunësinë më të madhe, si dhe vendi me korrupsionin dhe hajninë më të madhe në botë. Për këtë ai tha se kanë faj ata që po krenohen me hajni.
“Sa ma të varfër po bëhen qytetarët, më të shtrenjta po bëhen kerret e qeverisë dhe më të mëdha shtëpitë e tyre”, u shpreh Ahmeti. Sipas tij, vendi nuk zhvillohet me deklarata të thata, e duke shkuar në qendra skijimi. Protestën e Vetëvendosjes e kanë përkrahur edhe përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve të Fabrikës “Sharrcem”, ndërkaq ajo ka zgjatur rreth një orë e gjysmë dhe ka përfunduar pa asnjë incident.
Policia ua largon skenën
Para fillimit të protestës, policia largoi një skenë të improvizuar nga Vetëvendosja para ndërtesës së Qeverisë. Ky akt, nga Albin Kurti, u cilësua si hajni që e kishin kryer Hashim Thaçi, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi, me njësitet speciale të Policisë. Ai tha se ky gjest tregon se qeveria Thaçi zbaton politika policore në Kosovë.
Ofroni fakte
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha sërish se motot dhe fjalori i “Vetëvendosjes” janë ofenduese, ndërsa ata, sipas Kuçit, duhet të ofrojnë alternativë konkrete. “Nëse dikush ka prova të tilla, unë i ftoj ata qe t’i çojnë në gjykatë”, tha Kuçi, sipas të cilit Vetëvendosja e di që ky vit nuk është elektoral dhe disa gjëra duhet të ruhen për fushata.