Rroken për doktoratë
Partia më e madhe opozitare, LDK, ka akuzuar të mërkurën Ministrin e Arsimit, Ramë Buja se nuk i njeh punët e arsimit, edhe pse tash e tre muaj ndodhet në krye të këtij dikasteri.
Një grup i ekspertëve të LDK’së që monitorojnë fushën e arsimit nëpërmjet një komunikate për media, kanë thënë se njerëzit e kësaj qeverie janë vënë në krye të punëve, të cilat nuk i njohin as elementarisht.
Ky qëndrim i ekspertëve të LDK’së ka ardhur një ditë pasi Ministri i Arsimit, Ramë Buja gjatë prezantimit të raportit për 100-ditshin e dikasterit që udhëheq, deklaroi se kanë marrë vendim për hapjen e studimeve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës.
“Një proces që ka ngecur shumë tek universitetet tona, ose arsimin e lartë, është që të insistojmë për të realizuar aq sa na takon ligjërisht, që të mbështesim Universitetin e Prishtinës për të realizuar hapjen e shkollës të doktoratës dhe tanimë vendimi është marrë që të hapet kjo shkollë në të gjitha njësitet akademike”, ka thënë Buja gjatë konferencës me gazetarë.
Por, sipas LDK’së, ajo për çka po flet Buja, është realizuar në Kosovë qysh para tri vjetëve.
“Shkolla e studimeve doktorale në Universitetin e Prishtinës ekziston e funksionon siç e përcakton statuti i këtij universiteti tash e tri vjet, por ministri këtë nuk e di. Ndërsa, shkollë doktorale në fushat në të cilat ky universitet nuk ka kuadër, nuk mund të ketë. Ministri dhe Ministria duhet të përkrahin Universitetin që të përgatisë kuadro, që të reformojë programet, që të rrisë bashkëpunimin me universitet e tjera. Vendimet për shkolla, për mënyra e tipa studimi i merr vetë Universiteti, mjafton që Qeveria të mos ndërhyjë në punët akademike”, thuhet në reagimin e LDK’së.
Kujtim Shala, njëri nga ekspertët e LDK’së për fushën e arsimit, ka thënë të mërkurën për Express se në shkollat e doktoratës në UP, të regjistruarit tashmë janë duke i kryer studimet.
Ai ka thënë se Ministria dhe askush nuk mund të hapë programe të tjera pa siguruar mësimdhënës me cilësi për këtë nivel akademik.
“Domethënë, kjo për çka ka folur ministri, është duke funksionuar. Mirë apo keq, është çështje tjetër”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër, reagimi i kësaj partie opozitare, nga ministri Buja, është parë si joserioz.
Ministri Buja ka sqaruar se vendimi për hapjen shkollës së doktoratës nuk është marrë nga ai, por nga Senati i Universitetit të Prishtinës.
“Senati ka marrë vendim për rihapje në njëfarë forme, apo për aktivizim të shkollës së mirëfilltë të doktoratës në të gjitha 17 njësitë akademike në Universitetin e Prishtinës. Nëse ata kanë njohuri të tjera, le të plotësojnë, por nuk ka mundësi të ketë, sepse realiteti është i tillë. Pra, shkolla e doktoratës nuk është ajo për gjysmë njësi akademike, por për të gjitha njësitë po flasim dhe këtë vendim, e përsëris, e ka marrë Senati i UP’së”, ka thënë Buja për Express.
Ai nuk e mohon se kolegjialisht ka insistuar te Senati që të ribëhet mirëfilli shkolla doktorate në të gjitha njësitë akademike në standarde bashkëkohore.
“Ajo për çka flasin ata, është diçka që ka ekzistuar vetëm në ndonjë njësi dhe ka funksionuar me sistem të vjetër dhe asnjëherë nuk ka funksionuar si duhet”, ka thënë Buja.