Bojkotojnë lojën, humbin 47:0

Dyzeteshtatë me zero! Por, nëse e shkruan me shifra, impresionon edhe më shumë: 47-0. Ky në të vërtetë është rezultati në mes të ekipit Hermes Toro ndaj Matrice. Kjo ka ndodhur në kategorinë e parë në Molise, një vend në jug të Italisë.
Superioritet në kualitet? Jo. Sipas ueb faqes italiane altromolise.it, Matrice e humbi me qëllim ndeshjen. 11 lojtarët mysafirë kanë vendosur të qëndrojnë si statuja në protestë ndaj një vendimi të Federatës.
Matrice, e parafundit në tabelë në grupin B me vetëm 3 pikë të grumbulluara, një javë më parë e kishte mposhtur ekipin Monteverde, direkt konkurrent për mbijetesë, me rezultat 2:1, duke u ngritur në kuotën e 6 pikëve dhe duke u pozicionuar në vendin e tretë nga fundi.
Mirëpo, gjyqtari kryesor gjatë ndeshjes e kishte bërë një gabim teknik, duke e nxjerrë jashtë një lojtar të Matrice në vend se t’i ndëshkojë me kartonë të verdhë dy lojtarë. Pas ndeshjes, Federata ka vendosur që ajo të përsëritet për shkak të gabimit të gjyqtarit.