Drita, test për Trepçën ’89

Kryendeshja e xhiros së katërmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë, ku do të përballen dy kandidatët për titull të kampionit, Trepça ’89 dhe Drita.
Gjilanasit aktualisht janë në pozitën e dytë të renditjes tabelore me 28 pikë të tubuara, por me një ndeshje më pak të zhvilluar sesa Prishtina. Ndërkohë, Trepça ‘89 pozicionohet në vendin e tretë me 23 pikë, pesë më pak sesa kundërshtari i tyre i radhës.
Andaj, ‘xehetarët’ do të përpiqen ta fitojnë këtë betejë ndaj gjilanasve për të dëshmuar se sivjet seriozisht e synojnë titullin e kampionit, i cili trofe po kërkohet nga shumë skuadra.
“Nuk do ta kemi të lehtë përballë Dritës, e cila tashmë është dëshmuar se ka një skuadër shumë kualitative në çdo segment. Mirëpo, ne jemi përgatitur në të gjitha aspektet që ta fitojmë këtë duel, me qëllim që ta konfirmojmë kandidaturën tonë për titull të kampionit. Jam i bindur se futbollistët e mi do ta japin maksimumin, andaj besoj se do të fitojmë. Por, edhe nëse nuk e arrijmë objektivin, nuk do të thotë se Trepça ’89 do të dorëzohet në luftë për titull”, ka deklaruar për Express trajneri i mitrovicasve, Gani Sejdiu.
Mirëpo, ‘Xehetarët’ nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë këtë qëllim përballë Dritës, e cila edhe me një barazim eventual do të rikthehej në krye të tabelës. Madje, gjilanasit thonë se në ‘Riza Lushta’ synojnë t’i fitojnë pikët e plota, për ta bërë kështu edhe një hap tjetër drejt titullit të kampionit.
“Sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe në këtë takim do të hyjmë me qëllim që të shënojmë fitore. Jemi mirë të përgatitur dhe objektivi ynë është i qartë, pra fitorja, me qëllim që ta bëjmë edhe një hap të madh drejt titullit. Por, realisht edhe barazimi do të ishte i favorshëm. Shpresojmë në referim të mirë dhe besoj se të dyja ekipet do ta aplikojmë një lojë të atillë për t’ia arsyetuar kësaj ndeshjeje epitetin e derbit”, ka thënë futbollisti i bardhekaltërve Erdin Hashani. Po të mërkurën do të zhvillohen edhe katër takime tjera të kësaj jave.
Superliga – Xhiroja e 14-të
E mërkurë
Gjilani – Besa 13:00
Liria – Hysi 13:00
Drenica – Vëllaznimi 13:00
KEK-u – Trepça 13:00
Trepça ’89 – Drita 13:15