Bojni: Në Mat investime që mungonin në dekada, vijojmë me këtë ritëm që punët e mira të mos ndalen

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar të bashkisë së Matit për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit, Altin Bojni shprehu besimin se “Mati do të votojë me një rezultat të thellë sepse e meriton vazhdimësinë e punëve që janë bërë deri më sot”.
I ftuar në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, Bojni tha se do të ketë rezultat të mirë të dielën e 9 nëntorit sepse matjanët dinë ta vlerësojnë punën e bërë gjatë gjithë këtyre viteve. “Në bashkinë Mat janë bërë investime që për shumë dekada nuk janë bërë. Besoj se PS dhe unë si kandidat do të marrim një rezultat shumë të mirë. Mendoj se do të marr 65% të votave”, theksoi ai.
Kryeministri Rama u shpreh se Mati është një bashki ku nuk do të jetë e lehtë për të marrë stafetën pasi ish-kryebashkiaku Agron Malaj ka bërë një punë kolosale dhe i ka ndryshuar faqen Matit. Por, vijoi ai, “më thonë që nuk duhet të jem i sigurt në sa po them, pasi Altini më thonë mund të dalë më mirë si kryetar bashkie”.
Lidhur me investimet e reja në Mat, Bojni theksoi se “Mati edhe këtë vit ka dalë si bashkia me performacën më të mirë, është e para dhe ne duhet të vazhdojmë ta mbajmë këtë ritëm. Ish-kryebashkiaku Malaj ka punuar shumë, sot duke pasur edhe një mbështetje të madhe nga qeveria duhet të vazhdojmë investimet dhe projektet”.
“Në Mat nuk është koha për eksperimente që të kthehemi mbrapa. Do të vazhdojmë me këtë ritëm dhe këtë energji që punët e mira të mos ndalen. Do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim e bashkëpunim pasi Mati e meriton. Tani që është bërë Rruga e Arbrit duhet të marrë edhe më shumë zhvillim”, tha Bojni.
Në zgjedhjet e 9 nëntorit, kandidati i PS-së Altin Bojni garon kundrejt Eduart Brahilikës, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD dhe kandidatja e pavarur Suzana Pasha.
/k.s/j.p/r.e/