E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ceca: Fokusi tek investimet e reja në Berat

TIRANË, 7 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Berat, Ervin Ceca deklaroi sot se tërheqja e investimeve të reja do të jetë në fokus të punës së tij në rast se fiton zgjedhjet e 9 nëntorit.

I ftuar në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, Ceca foli për sfidën zgjedhore të 9 nëntorit, ndërsa u shpreh se “Berati është transformuar”.

“Situata në qytet nga ajo që kam perceptuar është shumë pozitive. Njerëzit fillimisht vlerësojnë punën që është bërë në qytete, projektet, gjë që u tregua edhe me votë në 11 maj ku Berati nxori 5 mandate”, tha Ceca.

Ndërkohë ai theksoi se qytetarët e Beratit vlerësojnë dhe e mirëpresin edhe kandidaturën e tij.

Ceca u shpreh besimplotë se në Berat Partia Socialiste do të ketë rezultat shumë të mirë dhe pjesëmarrje të  kënaqshme në zgjedhje.

“Vërtet është sfidë e madhe sepse Berati është transformuar rrënjësisht në infrastrukturë, shërbime. Është sfidë e madhe dhe nuk ka nevojë për eksperimente. Rruga është e shtruar, duhet të mbajmë ritmin dhe fokusin, të vazhdojmë punët që janë nisur dhe të fokusohemi për të marrë investime të reja”, tha ai.

Ceca theksoi se në Berat infrastruktura e rëndësishme ka përfunduar, por ka edhe disa projekte që kanë nisur tani.

“I gjithë fokusi do të jetë mbajtja e këtij standardi. Kjo është sfida më e madhe”, tha ai.

Në Berat, Partia Socialiste garon me Ervin Cecën, ndërsa opozita mbështet kandidatin e pavarur Pavlo Shkarpa. /j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›