Bokshi hapi perdet e Talias
Për dy dekada ecje kanë parakaluar flamuj qytetesh e shtetesh për t’iu bashkangjitur kësaj date kaq simbolike e cila tashmë do të ngelet mbase njëra ndër ngjarjet më me peshë për shtizën artistike të këtij qyteti.
Komedia “Mon Liku”, në regji të Ilir Bokshit, do të lëviz në tehun e thikës së absurdit. Ajo satirizon jetën në bashkësi siç është jeta e shkrimtarit të ‘dështuar’ Mon Liku, (Ard Islami), i cili do të ikën nga zhurma familjare e një mendësie të gjerë qyteti, për të gjetur një hapësirë vetmie, ku do të mund ta shijojë “menynë” e vetëvrasjeve, e cila përbëhej nga revolja, thika, litari, dritarja, hapat e gjumit, dhe Shekspiri (kriminel) i cili ndërthuret si një shitës (shërues) helmesh për atë mendësi njerëzore. Metafora e këtij personazhi do të mund të zbërthehet varësisht nga rrethanat.
“Mon Liku” duke kërkuar vdekjen do të gjejë mundësinë për të përbotëruar vlerat e tij mbi veprën e tij të panjohur. E keqja që ai zgjedhë (vetëvrasja), atij do t’i sjellë dobi në një kontekst ideofilozofik. Sa më këmbëngulës për të vdekur aq më e paarritshme do të bëhet mundësia e vdekjes. Fundja, njeriu vdes atëherë kur është i arsyeshëm për të vdekur. Veprat janë ato që do ta sensibilizojnë mundësinë e të vdekurit. Fabula zhvillohet brenda një hoteli vendor, aty ka disa banorë (pastruesja, polici, psikologja, studentja) që do ta shoqërojnë rrjedhën e vetëvrasjes së këtij shkrimtari. Demitizimet që autori u bënë legjendave mbi Zotin në raport me njeriun, pastaj sjelljeve të priftit, konceptit dashuri, mendësisë policore (pushtetit), reflektohen si gjetje origjinale, përkatësisht guxim dramaturgjik në relacion me rrjedhat e konceptit kohë. Është ky shkrimtar i dështuar që do të nxjerr në pah të dështuarit e tjerë.
Të metat e një polici primitiv, të mirat e pastrueses, që ka dhunti tjera shtesë përveç punës që bënë, naivitetin dashuror të studentes së letërsisë, psikologes (fallxhore) me grimasa prostitucionale, dhe një folësi lajmesh me maska televizive. Pra, është dorëshkrimi i tij, dhe janë personazhet e dorëshkrimit të tij, që do t’i shfaqen në jetën e tij reale, ku në ndërdije do t’ia komplikojnë jetën e tij reale drejt limiteve surreale. Personazhet e tij do ta shtyjnë për të vdekur, njëherësh, ato do ta joshin për të jetuar edhe më tej. Pra, ai do të mishërohet me rrjedhat e personazheve të tij. Krejt në fund, do të shijojmë një përmbyllje të gëzuar, me mundësi besimi për rrjedhat rutinore të kësaj jete tragjikomike. Shekspiri do të burgoset, për t’i dhënë shanse shkrimtarëve të kohës me dalë në dritë, përderisa ai dhe helmi i tij do të mbeten në çeli. Regjisori i këtij projekti teatror edhe më tej po zgjeron horizonte të reja në raport me regjisurën shqiptare. Mbase, kudo që ai shfaqet, garës i rritet vlera. Aktrimi i Ard Islamit do të shquhet si befasi e këndshme për këtë festë teatrore. Gjithsesi, edhe interpretimi i Emine Toskës ishte mbresëlënës. Pastaj, pjesa tjetër e trupës si: Sabedin Shahiqi, Njomza Kalaveshi, Bashkim Nexhipi, Shkëlzen Berisha, Gyner Halili do të renditen artistikisht sipas rrjedhës individuale në kuadër të një produkti të ngjeshur teatror. Skenografia e Petrit Bakallit ishte gjetje ideale për rrjedhën tematike, po kështu kostumet e Vesa Krajës, pastaj muzika e Trimor Dhomit.
Debat i vyeshëm
Prof. Nebi Islami drejtues i tryezës, po bënë punën më të vyer në kuadër të këtij festivali. Ai, përkatësisht debatuesit e tjerë të ardhur enkas për këtë debat të vyer, po japin ide, botëkuptime, mbresa, gjykime për atë që po shfaqet përgjatë këtyre netëve në vazhdim. Kushtrim Bekteshi, regjisor, Sonila Kapidani, regjisore, dhe Sadri Daku janë ata që mbajnë në dorë flamurin e jurisë. Trupat që do të zbarkojnë gjatë ditëve në vijim vijnë nga Shkupi, Prishtina, Peja, dhe të hënën me 23 të këtij muaji festivali do të mbyllet me trupën e teatrit të Durrësit.
(autori është dramaturg, skenarist, kritik)